Lajme

Ambasadori italian: Kurti të vazhdojë me themelimin e Asociacionit – njohja reciproke vendoset para integrimit në BE


Antonello De Riu

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon angazhimin e të dy liderëve – Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç’it – veçanërisht nga kryeministri Kurti që të vazhdohet drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për Klan Kosova, ai tha se “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” për të cilën u pajtuan Kurti e Vuçiç në Bruksel, është një marrëveshje pragmatike dhe është maksimumi që mund të arrihej.

“Kjo marrëveshje është pragmatike, le të themi, merr parasysh situatën aktuale, në situatën aktuale, sinqerisht është maksimumi që mund të arrihej, por është një fazë e ndërmjetme. Për të vazhduar drejt integrimit evropian, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të arrijnë në një moment, në të cilin do të vendoset njohja reciproke”, tha ai.

”Para se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do të duhet të arrijnë një njohje ndërmjet të dyjave, një njohje dypalëshe, megjithatë unë do të doja të fokusohesha në përparësitë që Kosova do t’i ketë që sot, jo vetëm në të ardhmen, që në çdo rast kjo marrëveshje lejon njohjen e simboleve shtetërore, njohjen e integritetit territorial”.

Diplomati italian e konsideroi veten me fat, me rastin e përzgjedhjes që i është bërë nga kryeministja Giorgia Meloni për të drejtuar politikën e jashtme italiane në Kosovë dhe përfshirjen e Italisë në procesin e dialogut.

“E konsideroj veten shumë me fat që më kanë dërguar këtu në Kosovë si ambasador, pasi kam pasur rastin ta njoh këtë vend në fazat e ndryshme të historisë së tij të fundit, pas pavarësisë, ose më saktë pas çlirimit në 1999, në korrik, por edhe më pas”, shtoi diplomati De Riu.

Ndryshe, çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se dy javë palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore