Shqipëria

Ambasadori çek largohet nga Shqipëria, Nikolla: Çekia, avokate e integrimit Evropian të Shqipërisë


“Unë vlerësoj përkrahjen dhe vendosmërinë e Republikës Çeke në mbështetje të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, si një ‘avokate’ e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian, si edhe për kontributin e saj në kuadër të mbështetjes prej Grupit të Vishegradit të integrimit të Ballkanit Perëndimor”.

Kjo ka qenë deklarata e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, gjatë takimit me ambasadorin e Republikës Çeke, Jaroslav Ludva, i cili do të largohet nga vendi pasi i përfundoi misioni i tij në Tiranë.

Nikolla e falënderoi Ludva-n për përmbushjen me sukses të misionit si ambasador dhe për disa kohë edhe si dekan i Trupit Diplomatik në Shqipëri.

“Shpreh mirënjohjen për kontributin në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe ndihmën e Republikës Çeke për shuarjen e zjarreve dhe kontributin për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019”, vijoi Nikolla në fjalën e saj.

Nga ana tjetër Ludva falënderoi Kryeparlamentaren për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe kontributit të tij.

Në përfundim ai theksoi se mbështetja e Republikës Çeke për Shqipërinë do të vazhdojë dhe marrëdhëniet midis të dy vendeve do të vijnë duke u forcuar e zgjeruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore