Kosova

Ambasadori amerikan – liderëve të rajonit: Fati i të zhdukurve të mos jetë peng i politikës


Ambasadori amerikan Philip Kosnett, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, u ka dërguar një mesazh të gjithë udhëheqësve politikë të rajonit, ku ka theksuar se “fati i të zhdukurve nuk duhet të jetë peng i politikës”.

“Në këtë Ditë Kombëtare të Personave të Zhdukur, ne vlerësojmë përparimin e fundit në nivelin e punës. Por, pas mbi dy dekadash, familjeve ende u mungon përgjigja dhe mbyllja për të dashurit e tyre”.

Kështu është shprehur ambasadori Kosnett përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter.

Në këtë ditë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, përmes një shkrimi në Twitter, ka treguar se ka vizituar Ferdonije Qerkezin, që në luftë humbi katër djemtë dhe bashkëshortin.

“U preka thellë nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezi për dhimbjen dhe humbjen. Shtëpia e saj e madhe e zbrazët është një kujtesë dinjitoze dhe imponuese e plagëve të hapura që ende duhet të marrin përgjigje, duke shmangur çdo politizim”, ka shkruar ambasadori Orlando.

Ndërsa Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit (EULEX), është zotuar që do të vazhdojë punën për të gjetur vend ndodhjen e një mijë e 639 personave të pagjetur si dhe t’ua japë përgjigjet e nevojshme familjarëve.

Sipas tyre, një nga sfidat kryesore të hasura nga ekspertët e forenzikës në procesin e përcaktimit të fatit të personave të pagjetur të Kosovës është fakti që një numër i konsiderueshëm i tyre janë varrosur në varreza.

“Të fshehësh trupin e një personi të pagjetur në një varrezë është njësoj sikur ta fshehësh një libër në bibliotekë. Është shumë e vështirë për ta gjetur”, thuhet në një komunikatë për media nga Zyra e EULEX-it në Kosovë.

Ndërkohë, ndalja e dritave, tashmë është shndërruar në aksion tradicional, me anë të së cilit çdo vit, në të njëjtën ditë dhe kohë, mundësohet kujtimi ndaj personave të pagjetur.

Kështu edhe Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë apo banesat e tyre për pesë minuta.

“Duke kaluar pesë minuta në errësirë do të mund të bashkë ndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilin ndodhen familjarët e një mijë e 639 personave të pagjetur tash e 21 vite”, thuhet në ftesën e kësaj iniciative.

Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas homazheve në Memorialin e të Pagjeturve në Prishtinë, këto homazhe i kanë vazhduar edhe në kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Më 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të Gjakovës, gjatë luftës së Kosovës, forcat e policisë dhe ushtrisë serbe kanë masakruar 372 persona.

Kjo masakër konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë, ku vetëm një pjesë e kufomave janë gjetur kurse pjesa tjetër e trupave janë ende të pagjetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore