Shqipëria

Aldi Rama ndërron jetë në spital, ja dinamika nga vrasja e policit tek vetëvrasja e tij


Aldi Rama, 21-vjeçari i cili pushtoi faqet e para të çdo medie të martën e 28 shtatorit, pasi vrau në krye të detyrës një efektiv policie gjatë kontrollit anti-cannabis në Lezhë, ka ndërruar jetë në spital pasi tentoi vetëvrasjen duke qëlluar veten me armë në kokë dhe u plagos rëndë.

Aldi Rama, nga dritarja e një automjeti, qëlloi me një plumb në zemër Saimir Hoxhën, i cili së bashku me dy kolegë të tjerë, ishte nisur të inspektonte zonën për parcela cannabisi.

Aldi Rama, autori i vrasjes së policit Saimir Hoxha

Menjëherë pasi kreu aktin, Rama u arratis. Për katër orë radhazi, Policia u vu në ndjekje të tij. Në ndihmë erdhën edhe forca të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH) dhe RENEA.

Pasi ishte rrethuar nga Policia dhe pa rrugëdalje, i riu zgjodhi të qëllojë veten në kokë me armë. Kështu, duke i shkaktuar vetes një plagosje të rëndë.

Momenti kur Aldi Rama mbërrin në Spitalin e Traumës, në Tiranë

Ai u transportua menjëherë për në Spitalin e Lezhës fillimisht, ku u intubua. Më pas, u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pas orëve në vdekje klinike, Rama ndërroi jetë në spital.

Zbardhja e plotë e ngjarjes

E gjithë ngjarja u zhvillua në zonën e njohur si Kune Vain.

Një njoftim i Drejtorisë së Policisë se në atë zonë kishte një parcelë me lëndë narkotike, kishte bërë që në vendodhje të shkonin tre efektivë të Policisë.

Nënkomisari Saimir Hoxha, i cili mbeti i vrarë në aksion, ishte i shoqëruar nga shefi i krimeve, Leonard Palushi dhe një specialist i zonës, Petrit Doda.

Saimir Hoxha, efektivi i mbetur i vrarë në krye të detyrës

Të tre efektivët, zbuluan në zonë një parcelë me 110 rrënjë hashash. Ata i dogjën bimët dhe nëntë prej tyre, i morën në makinë për t’i dërguar për ekspertizë.

Në rrugën e kthimit, tre efektivët pikasin një automjet të ndaluar dhe vendosin ta kontrollojnë atë.

Në drejtim të mjetit ishte shtetasi Armando Marku, ndërsa në vendin e pasagjerit, shtetasi Kristian Sheri. Shefi i krimeve Palushi dhe specialisti Doda, filluan të kryenin verifikimet. Saimir Hoxha, i drejtohet personit të tretë, i cili ndodhej në makinë, ku më pas rezultoi se ishte Aldi Rama.

Hoxha i kërkoi të riut dokumentet e identifikimit.

Rama, replikon me policin, duke i thënë se ai nuk është për t’u kontrolluar dhe në atë çast, e qëllon Hoxhën me dy plumba, një në gjoks dhe një në qafë. Efektivi mbetet i vdekur në vend.

Pamje pranë vendit ku ndodhi ngjarja

Menjëherë pasi kreu vrasjen, Rama merr në drejtim mjetin për t’u larguar. Dy policët e tjerë, qëllojnë drejt makinës, ku të paktën pesë plumba e kanë prekur atë.

Për rreth një kilometër, Rama udhëton me gomën e makinës të çarë dhe më pas detyrohet ta ndalë atë dhe të vijojë arratinë më këmbë.

Aktin fatal ndaj vetes, e shkakton pasi i rrethuar nga forcat RENEA, pa asnjë rrugëdalje.

Hoxha, “Dëshmor i Atdheut”

“Komisioni Qendror i Statusit ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, ‘Dëshmor i Atdheut’”.

Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, mbrëmjen e 28 shtatorit në një konferencë për media, pas vrasjes së nënkomisarit në krye të detyrës.

Çuçi i shprehu ngushëllimet familjes së Hoxhës dhe i garantoi se do u jepet e gjithë vëmendja dhe mbështetja e ligjit të posaçëm.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në konferencë për shtyp pas vrasjes së efektivit të Policisë

Ai më tej bëri me dije se nënkomisari Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

“Dua të shpreh vetëm respekt e mirënjohje për të rënin në krye të detyrës”, duke premtuar se, “nuk do të ndalim asnjë moment të vëmë para drejtësisë këdo që guxon të ngrejë dorën e krimit mbi Policinë”.

Duke falënderuar punën e palodhur të uniformave blu, ministri inkurajoi gjithë trupën e Policisë së Shtetit. Ai u shprehu mbështetjen “e pakufishme” dhe në emër të qeverisë shqiptare.

“Vijoni me vendosmëri betejën e përditshme me krimin”, iu drejtua ai efektivëve të policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore