Muzikë

Albumi “Çelu” – buqetë me nota shpirti nga Elvana Gjata


Këngëtarja shqiptare, Elvana Gjata, ka publikuar EP albumin e saj më të ri “Çelu”, i cili përmban gjithsej shtatë këngë, por që vetëm gjashtë prej tyre janë lansuar në kanalin zyrtar të saj në YouTube, që të gjitha të bashkangjitura më video klipe.

Këngët e albumit “Çelu”, përfshijnë kryesisht zhanret baladë dhe tinguj me frymëzim nga muzika e vjetër qytetare e kulturës shqiptare.

“Drandofilat”, “Mos u ngut”, “Jeta ime”, “Kur jemi dasht”, “A po vjen” dhe “Kunadhe”, janë “perlat” më të reja, të lansuara në treg nga Elvana Gjata.

Edhe në këtë album të radhës nga Elvana, duket se iu ka qëndruar besnike bashkëpunëtorëve të vjetër.

Ashtu si në albumin e fundit “EP3”, edhe në “Çelu”, përpos vet Elvanës, për tekstet e këngëve është përkujdesur kantautori, Pirro Çako.

Ndërsa, pas producimit të këngëve, miksimit dhe masterizimit të tyre, gjendet producenti i njohur nga Maqedonia e Veriut, Darko Dimitrov, ndihmuar edhe nga  Andi Islami.

E veçanta e këtij albumi është se të gjitha skenat e klipeve janë xhiruar në të njëjtin lokacion, të zgjedhur nga ekipa e “Gerladina Sposa”.

Në video klipet ku Elvana Gjata vjen më natyrale se kurrë më parë, ajo dhe ekipi i saj janë përkujdesur që skenat e klipit bashkë me veshjet dhe grimin, t’ia përshtatin titullit të albumit “Çelu”, duke sjellur ritme pranverore tek audienca.

Për stilin e veshjes së Gjatës, edhe kësaj radhe është përkujdesur disenjatori kosovar, Valdrin Sahiti, teksa nuk munguan as dyshja, Sellma Kasumovic dhe Kaci Lleshi, të cilët kuruan në detaje pamjen e saj.

Max Production, është kompania artistike e cila qëndron pas realizimit të video klipeve profesionale të xhiruara për gjashtë këngët e albumit.

“Vendi im” në bashkëpunim me motrën e saj, Migena Gjata, është kënga e vetme nga albumi i ri i Elvana Gjatës, e cila akoma nuk është publikuar me video, karshi gjashtë këngëve të tjera.

Ndryshe, ndër video klipet që është komentuar më shumë, është ai i këngës “Mos u ngut”, ku projekti vjen me nuanca amatore, teksa brenda tij ajo shfaqet duke u grimosur nga artistja mitrovicase, Sellma, e në një pjesë tjetër, e ulur në një divan oborri, shfaqet këngëtarja e njohur nga Prishtina, Jehona Sopi.

“Çelu” ka lulëzuar që në orët e para të publikimit, duke grumbulluar qindra mijëra klikime në YouTube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore