Lajme

Al-Burhan dhe Hemeti, puçistët gjakatarë (ish-aleatë) që mbajnë nën kontroll Sudanin


Njeriu i deveve që u bë gjeneral dhe gjenerali që donte të bëhej president, tregtari i floririt të Darfurit dhe ish-kadeti i lindur në brigjet e Nilit, provinciali i pasuruar dhe oficeri i destinuar për karrierë në vendin e 16 grushteve të shtetit, i mbrojturi i Kremlin-it kundër Al-Sisi-t të Khartoum-it.

Ferri i Sudanit i detyrohet dy burrave të armatosur dhe klaneve të tyre përkatëse të pasuar nga vendet aleate, dy puçistë të rreshkur që nuk mund të ishin më të ndryshëm nga njëri tjetri.

Mohammed Dagalo i njohur si Hemeti (Mohamedi i vogël), i lindur në vitin 1974, kreu i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) me 100 mijë milicianë, nuk bëri më shumë se tre klasë fillore.

Në moshën 13-vjeçare, ai shoqëronte devetë përtej kufirit me Libinë dhe Çadin. Autobiografia e tij flet për 10 vite në vendin e Gadafit.

Kthehet në Sudan pasi familjes së tij iu vodhën 7 mijë kafshë dhe iu rrëmbyen disa prej të afërmeve. Ishte viti 2003 në Darfur. Më 25 prill njëzet vjet më parë filloi një luftë midis grupeve etnike lokale dhe arabëve të mbështetur nga qendra.

Hemeti mbajti anën e rebelëve për gjashtë muaj dhe më pas kaloi në qeveri. Do të jetë një prej bosëve Janjaweed, djajtë mbi kalë të akuzuar për mizori dhe masakra.

Në të njëjtën periudhë, Abdel Fattah al-Burhan, tani 62 vjeç, ishte gjithashtu në ato anë. Presidenti-diktator Omar al-Bashir u besoi njerëzve si ai represionin që do ngjante shumë me gjenocidin.

Gjeneral i trajnuar në Egjipt dhe Jordani, një familje nga Veriu i vendit nga vijnë kuadrot e ushtrisë sudaneze, Burhan kthehet në Khartoum pasi ka bërë punën e tij të pistë me maturi.

Edhe Hemeti provincial merr rrugën për në kryeqytet. Në vitin 2013 al-Bashir e thërret atë në krye të një milicie, e cila në sytë e tij ka për detyrë të balancojë fuqinë e ushtrisë dhe të veprojë si mburojë.

Një shtet, dy ushtri: rrënja e përplasjes aktuale.

Me vazhdimin e kryengritjeve popullore të vitit 2019, të udhëhequra edhe nga gratë dhe që nisën me protestën paqësore për koston e bukës, Burhan dhe Hemeti bashkohen dhe lënë në baltë Al-Bashir-in.

Për një kohë shumë të shkurtër, ish-devexhiu duket si një njeri i popullit dhe i periferisë, por njerëzit e tij masakrojnë demonstruesit edhe pas rënies së diktatorit.

Tranzicioni i zbehtë demokratik zgjat deri në grushtin e shtetit të vitit 2021, me rënien e qeverisë së udhëhequr nga civilët.

Dy krerët e grushtit të shtetit në dukje mendohet se janë të bashkuar, por Hemeti në të vërtetë dëshiron të jetë president. Kurse Burhan dëshiron ta neutralizojë atë duke kërkuar që forcat e tij të kthehen në radhët e asaj ushtrie që nuk i ka parë kurrë të barabartë anëtarët e RSF-të “të kuqtë”.

Yjet e Nilit kundër pasurisë së grumbulluar nga Hemeti falë mercenarëve që u furnizuan sauditëve në Jemen dhe ari i Darfurit që do të kontrabandohej në Rusi nëpërmjet Emirateve, me milicianët e trajnuar në Libi nga Wagner i Prigozhin-it, në hije të gjeneralit Kalifa Haftar.

Bëhet fjalë për “Unarussian connection” për të cilën Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se është “shumë i shqetësuar”.

Një sfidë për vdekje, me viktima civilë në çdo rast.

Modeli mbrojtës i Burhanit është al-Sisi, baba-mjeshtër i Egjiptit, i cili shpreson për një kopje të regjimit të tij në kufirin jugor, me shpresë që më pas ai do të anojë me Kajron kundër kërcënimit të digës në Nil të ndërtuar nga Etiopia.

Sigurisht, miqtë e Emirateve të Hemetit janë edhe huadhënës të Egjiptit në rrezik falimentimi. Kryqëzime interesash.

Kjo është arsyeja pse vetë sauditët janë të shqetësuar nga zjarri në vendin në anën tjetër të Detit të Kuq.

Nëse vërtet nuk mund të ketë një fitues të shpejtë në Khartoum, do të donin një marrëveshje midis dy armiqve.

Stabilitet gjithmonë, demokraci kurrë.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore