Shqipëria

U akuzua bashkë me Tahirin, ish-drejtori i Policisë së Vlorës kërkon zbutje të masës së sigurisë


Ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela i cili u akuzua pёr aktivitete tё ndryshme kriminale nё fushёn e drogёs, ka kërkuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(GjKKO), konstatimin e shuarjes së afateve të paraburgimit.

Çela ka kërkuar gjithashtu nga GJKKO-ja zbutjen e masës së sigurisë tё vendosur për të cilën po kryen dënimin.

“Sipas ligjit nuk mund të mbahem në burg, pasi nga dita e vendimit nga Apeli ka kaluar me shumë se një vit, ndërsa thekson se për këtë shkak afatet e paraburgimit e kanë humbur efektin”, ka thёnё ish-drejtori.

Dosja penale ndodhet dhe pritet për t’u shqyrtuar nё Gjykatën e Lartë të rrethit Tiranë.

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me ish-Ministrin Saimir Tahiri ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Ish-kreu i Policisë së Vlorës u vetëdorëzua në polici në maj të viti 2020, pas dy viteve në arrati, ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me 3 vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tre akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që për të paktën disa vite të qëndronte jashtë jetës politike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore