Shqipëria

“Akti Normativ bie ndesh me vendimin e Kushtetueses”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kthyer një tjetër Akt Normativ për Buxhetin 2021, duke argumentuar se ky i fundit bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin e ri.

Sipas presidentit Meta, vendimi i GJK-së ka hyrë në fuqi, ndaj Aktiv Normativ bie “hapur” ndesh me të.

Për Kreun e Shtetit, alokimi i fondit shtesë prej 900 milionë lekësh, Bashkisë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, është në shkelje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese (GJK).

Presidenti thekson se fondi që akordohet për Teatrin e ri, nuk është më në kompetencën apo në pronësinë e Bashkisë Tiranë.

Meta nënvizon se qeveria dhe kuvendi kanë “shkelur, anashkaluar dhe sfiduar hapur autoritetin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese”.

Akti Normativ u kthye në kuvend për shqyrtim dhe me argumentimin se qeveria shqiptare ka nxjerrë 4 Akte brenda 6-muajve.

“Ky”, shkruan Meta në deklaratën e tij për shtyp, “është tregues i programimit të dobët financiar”.

“Akti Normativ shkel parimin e shtetit të së drejtës, Qeveria të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën”, vijon presidenti në njoftimin e tij.

Presidenti ravijëzoi se qeveria dhe kuvendi kanë krijuar “një tjetër situatë absurde, duke thelluar paligjshmërinë dhe antikushtetutshmërinë”.

Meta shkruan më tej se fondet për godinën e re të Teatrit Kombëtar, paligjshmëria dhe antikushtetuetshmëria “as mund të mendohet se mund të ndodhë në një shoqëri demokratike ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës”.

Kreu i Shtetit vë theksin se prioriteti i parë dhe themeltar për vitin 2021 duhet të ishte “përballimi i pasojave të COVID-19, por qeveria më 22 qershor 2021 në mënyrë antikushtuese vendos të akordojë fond për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e Teatrit dhe për blerje dronësh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore