Kosova

Aktakuzë ndaj dy serbëve për dhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës


Ndërtesa e Prokurorisë Themelore te Pallati i Drejtësisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër dy të pandehurve serbë me inicialet I.R dhe D.D, të cilët, në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), kanë kryer veprën penale të dhunimit seksual, gjatë luftës në Kosovë.

“Si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës,kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale ‘’krimet e luftës kundër popullsisë civile”, ndërsa ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ndaj të akuzuarve të mbahet gjykimi në mungesë, pas “shterimit të të gjitha përpjekjeve ligjore për t’i gjetur ata”.

Në luftën e fundit në Kosovë në vitet 1998/99, janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Një krim tjetër i padenuar – rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore