Shqipëria

Aksion i përbashkët Shqipëri-Itali: Arrestohen nëntë persona për mashtrim ndaj sistemit shëndetësor


Struktura e Posaçme Shqiptare Kundër Korrupsionit (SPAK) ka përmbyllur të premten e 10 qershorit operacionin, i cili ka çmontuar një rrjet kriminal prej nëntë personash.

Aksioni i përbashkët është realizuar me Drejtorinë Antimafia të Milano-s.

Lajmin e bëri të ditur SPAK me anë të një njoftimi zyrtar.

Autoritetet gjyqësore dhe ligjzbatuese në Itali dhe Shqipëri dyshohet se kanë zbuluar një grup kriminal.

Ky i fundit mashtronte ndaj sistemit kombëtar shëndetësor italian dhe trafikonte barna me përmbajtje narkotike.

Gjatë një dite aksioni, zbulon prokuroria, janë arrestuar nëntë të dyshuar.

SPAK ka sekuestruar, sakaq, më shumë se 500 mijë euro nga llogaritë bankare të të dyshuarve dhe barna me përmbajtje narkotike në vlerë prej 20 mijë euro.

Grupi i Organizuar Kriminal dyshohet se vepronte mes provincës së Milano-s, në Itali, dhe Shqipërisë.

Me bashkëpunimin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet italiane.

Grupi i organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme që do të lejonin hyrjen e jashtëligjshme në Itali.

Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale.

Anëtarët e grupit të organizuar kriminal gjithashtu dyshohen se janë të përfshirë në trafikun e barnave me përmbajtje narkotike, që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe janë shitur në Shqipëri.

Disa nga këto barna me përmbajtje narkotike ishin përdorur për të trajtuar pacientët me COVID-19, të cilat ishin shumë të kërkuara gjatë pandemisë.

Nga hetimet u konstatua regjistrimi i parregullt në sistemin shëndetësor kombëtar italian i të paktën 82 shtetasve shqiptarë ndërmjet periudhës janar 2020-qershor 2021.

Këta pacientë kanë marrë të paktën 383 shërbime ambulatore dhe 1 mijë e 554 vizita të specializuara, qëndrime në spital dhe receta, në kundërshtim me ligjin.

Gjatë aksionit të përbashkët më 10 qershor, në Itali u arrestuan gjashtë të dyshuar dhe u sekuestruan mbi 500 mijë euro nga llogaritë bankare dhe barna me përmbajtje narkotike të të dyshuarve në vlerë prej 20 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore