Shqipëria

Aksidentet rrugore, Nano u dërgon telegram strukturave të policisë


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka kërkuar reflektim të menjëhershëm të strukturave të Policisë Rrugore.

Kjo, nisur nga aksidentet rrugore të regjistruara ditët e fundit, në disa qarqe të vendit, me pasoja për jetën, si dhe nga aksidenti i mesditës së sotme në Tiranë.

Nano ka rreshtuar edhe rregullat e qarkullimit rrugor, të cilat nuk respektohen.

“Në dhënien përparësi të këmbësorëve në vijat e bardha dhe aty ku ato mungojnë, që nuk respektojnë tabelat e shpejtësisë, ata që nuk vendosin rripin e sigurimit, për ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, për ata që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që përdorin mjetet me xhama të riveshur pa u certifikuar, ata që kryejnë gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë, dhe ata drejtues motomjetesh që nuk përdorin kaskën mbrojtëse”, shkruhet në telegram.

Nano ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave Policore që të jenë në krye të shërbimeve, për t’i organizuar dhe orientuar, që të fokusohen në ato shkelje që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike.

Kjo, për të kontrolluar, analizuar dhe evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet e ndodhura, apo për rezultate të dobëta në punë.

Prej orës 20:00 në të gjithë vendin kanë nisur kontrolle intensive, patrullime e monitorime, që do jenë të përditshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore