Shqipëria

Ahmeti: Rama ka bërë përpjekje për të na bashkuar, Kurti ka mbajtur anë


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, nuk ka ndërhyrë ndonjëherë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, derisa përmendi ndërhyrjet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në punët e brendshme, konkretisht në proceset zgjedhore të këtij shteti fqinj.

Ahmeti, në një intervistë për “Top Chanel’, përgëzoi Ramën për angazhimin e tij sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë dhe jo vetëm, në Bashkimin Evropian.

“Rama ka diskutuar shumë hapur në Bruksel për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për burokracinë që ushtrohet në Bashkimin Evropian duke na vënë edhe kushte gati të njëjta me ato vende të BE-së të cilat i kanë përmbushur para 20-30 viteve, para se të themelohet BE-ja, dhe nuk na vendosin në nivelin kur është pranuar Bullgaria anëtare, kur është pranuar Rumania… dhe Edi ka qenë i zëshëm në këtë çështje”, tha Ahmeti.

Edi Rama, vazhdoi lideri i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, “asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni, përherë ka bërë përpjekje për t’i afruar partitë politike në Maqedoni”, prandaj, thekson kreu i BDI-së, për këtë “jam falënderues e mirënjohës”.

“Sigurisht që ka pasur”, deklaroi Ahmeti kur u pyet për ndërhyrjet e Kurtit në punët e brendshëm të Maqedonisë, dhe për këtë ai përmendi shembullin konkret, kur kryeministri i Kosovës kishte shkuar për të mbështetur hapur kandidatin shqiptar për president të Maqedonisë, Blerim Rekën, ndryshe nga ajo se çfarë bënte Ahmeti dhe partia e tij, që ishin në përkrahje të një kandidati konsensual.

“Ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, Kurti mbajti anë. Doli në përkrahje të një pjese të partive politike [shqiptare] në Maqedoni, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për zgjedhjet presidenciale, në mbështetje të një presidenti konsensual – që ishte Stevo Pendarovski – para pesë vitesh”.

“Ne nuk e kemi bërë në mënyrë naive, dhe nuk kemi shprehur patriotizëm emocional, as folklorik, por jemi dakorduar në parim me Pendarovsk-in e me LSDM-në, për detyrimet që do të ketë si president i vendit Pendarovski, dhe ne i kemi dhënë përkrahje”, shtoi.

Përveç zgjedhjeve presidenciale që i përmendi Ahmeti, Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, tani do të jenë edhe pjesë e garës në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut.

Muajin e kaluar, Bekim Qoku, këshilltar politik për Maqedoninë e Veriut në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, kishte thënë se partia e kryeministrit Kurti, pjesë e të cilës është edhe ai, do të jetë “shtylla e katërt shqiptare (Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, BESA e Bilall Kasamit dhe Alternativa e Afrim Gashit), kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – forca kryesore politike e shqiptarëve – duke synuar kështu rikonfigurimin e forcave politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore