Kosova

Ahmet Ademi, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin e Salih Mustafës


Salih Mustafa.

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-komandantit Salih Mustafa, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Ahmet Ademi është duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Mustafës, ku ka shpjeguar veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë viteve 1997-1999.

Dëshmitari Ademi, ka deklaruar se nga mosha 28 vjeçare e deri në vitin 1997 kishte punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës.

Mirëpo, gjatë vitit 1997 ai tha se punëtorët shqiptarë ishin larguar nga puna nga serbët, , me ç’rast të njëjtit kishin vepruar ilegalisht duke hapur zyrë të Kryqit të Kuq të Kosovës.

“Kryqi i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna më 1997, për arsye se Kryqi i Kuq nuk donte me ditë na shqiptarët çka po bëjnë ata, çka po veprojnë ata, për ata arsye na kanë largu nga puna. Në vitin 1997 me profesorin Isuf Dedushaj, me anëtarët tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht, i cili ka vepruar në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën ta quaj”, tha ai raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se këtë zyrë e kishin hapur në lagjen “Dardana”, e që kishte ekzistuar deri në vitin 1998, ku kishte punuar edhe tani mjeku i ndjerë, Shpëtim Rrobaj.

Gjykata Speciale në Hagë.

Ai u shpreh se për shkak të hapësirës të njëjtit kishin hapur zyrën e dytë në një shtëpi private të një qytetari, rrugës për në Gërmi.

“Pas vdekjes së Shpëtim Rrobaj, zyra në ‘Dardani’ u shpartallua dhe kemi filluar punën në zyrën rrugës për Gërmi, dhe aty kemi vendosur që të punojmë që të gjithë, sepse aty u bë një jetë shumë më e vështire dhe filluam të punojmë me një staf më të reduktueshëm”.

Ndër të tjera, deklaroi se Kryqi i Kuq serb kishte vazhduar të punojë.

Ai ka deklaruar se Kryqi i Kuq serb kishte vazhduar të punojë.

“Nuk kanë mujt m’u furnizu siç duhet, po mendoj me gjana ushqimore, shtrojë, mbulojë, qumësht për fëmijë, ata s’kanë mujt me marrë se një arsye ata i urrenin popullatën shqiptare”.

Ndër të tjera, ai bëri të ditur se pajisjet mjekësore, të njëjtit i kishin marrë përmes donacioneve nga njerëz të ndryshëm, nga fondi “Vendlindja thërret” dhe një barnatore që e kishin afër zyrës.

Sa i përket shpërndarjes, dëshmitari deklaroi ata kishin qenë 7 persona të cilët ndihmat i kishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe atë të Drenicës, Llapit, Gollakut dhe në Gjilan.

“Shpërndarjen e kemi bërë shumë me vështirësi, në disa kemi qenë ne disa vinin popullata tek ne në zyrë, disa i çonim ne, afër shkonim me automjete, tani pjesën tjetër shkonim në këmbë me çanta në shpinë tu i ç’u nëpër fshatra. Ka pasur persona të caktuar të cilët kanë ardhur tek ne i kanë marrë materialet dhe i kanë dërguar ato nëpër fshatra, qytete”, tha ai.

“Edhe ata, por edhe anëtarët tonë të cilët kanë qenë në terren se s’kemi pasur mjete për t’i dërguar ato nëpër pika të caktuara sepse gjithmonë jemi tut nga policia serbe, kemi shkuar aty për t’i dërguar senet fshehurazi për mos me na pa policia për këto çka po çojmë ne, barna, qumësht, pelena etj, do të thotë krejt fshehurazi i kemi dërguar ato, gjithmonë me frikë kemi shkuar”, tha ai.

Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore