Biznes

Agnelli-t futen në modën e lartë


Miliarderët e familjes Agnelli, kanë arritur marrëveshjen për blerjen e 24% të aksioneve të markës Christian Louboutin. Vlera e transaksionit përllogaritet në 541 milionë euro.

Kështu familja e famshme italiane, zgjerohet edhe në fushën e modës luksoze. Nëpërmjet kompanisë Exor, ata po blejnë 24% të aksioneve të stilistit francez që krijon këpucë dhe çanta. Agnellit shohin shumë potencial në rritjen e markës në Kinë dhe tek shitjet online.

Blerja e aksioneve i jep të drejtën Exor-it të emërojë dy nga shtatë anëtarët e bordit te Louboutin.

Nën drejtimin e John Elkam, kompania e investimeve e familjes Angelli ka diversifikuar portofolin e investimeve në vitet e fundit.

Transaksioni vjen pas investimit të mëparshëm prej 80 milionë eurosh te marka luksoze Shang Xia.

E krijuar më 1991, Christian Louboutin e ka shtrirë veprimtarinë tregtare në 30 shtete me 150 dyqane. Investimi i Exor vjen në një moment kur markat e këpucëve po kalojnë vështirësi nga pandemia. 

“Markat formale të këpucëve janë në një moment të vështirë” u shpreh Luca Solca, analist i markave të modës. “Ata janë të ndikuara nga një trend i veshjeve casual, me atletet si epitoma e kësaj kategorie. Markat formale e kanë të vështirë të zgjerohen në llojet e tjera, për arsye se çmimet e atleteve janë relativisht të ulëta” shpjegon ai.

Familja Agnelli ka në zotërim 53% të Exor. Ata gjithashtu janë pronarë të makinës së garave Ferrari, ekipit të futbollit Juventus FC si dhe zotërojnë aksione në firma të tjerat të mëdha me veprimtari në industri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore