Kosova

AGK dënon kërcënimin e Abazit ndaj Albanian Post: Partia e Abazit, të distancohen nga gjuha kërcënuese e deputetit


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj “Albanian Post”.

AGK përmes një reagimi ka bërë të ditur se “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu”.

“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, Kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe “kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë”.

“Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit”.

Ndryshe, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërcënuar Albanian Post se nëse vazhdohet të raportohet për të, ai do të ndërmarrë masa të ashpra.

Do ta bëjë edhe ma zi se në Klan”, ka qenë një nga kërcënimet e Abazit, kur është kontaktuar nga Albanian Post për të marrë një prononcim për emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës, pasi Abazi është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Parlamentin e Kosovës.

Kërcënues dhe i shthurur, Abazi është treguar veçanërisht kur ka folur për drejtorin e mediumit, Baton Haxhiu.

Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë”, ka thënë Abazi, duke dëshmuar kështu se sa ishte zëvendës-kryeministër në Qeverinë “Kurti 1”, ai ka ndërhyrë në mediat e Kosovës për të pozicionuar e ripozicionuar njerëz, ashtu si i leverdis atij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore