Lajme

Afganistan: SHBA dhe talebanët zhvillojnë bisedimet e para


Të afërmit dhe banorët marrin pjesë në një ceremoni funerali për viktimat e një sulmi vetëvrasës në Xhaminë Gozar-e-Sayed Abad në Kunduz, Afganistanin verior, 9 tetor 2021.

Zyrtarët amerikanë janë takuar me talebanët në Afganistan duke zhvilluar bisedimet e tyre të para ballë për ballë, qëkur Washington-i tërhoqi trupat e tij në gusht.

Bisedimet në Katar janë përqëndruar në çështje qё përfshijnё përmbajtjen e grupeve ekstremiste, evakuimin e qytetarëve amerikanë dhe ndihmën humanitare, sipas zyrtarëve.

SHBA-tё këmbëngulin se takimi nuk përbën njohje të talebanëve.

Ngjarja vjen një ditë pasi Afganistani pësoi sulmin e tij më vdekjeprurës që kur forcat amerikane u tërhoqën.

Sulmi terrorist në një xhami në qytetin verior të Kunduz vrau të paktën 50 njerëz dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Xhamia Said Abad përdorej nga komuniteti pakicë mysliman shiitë në vendin me shumicë sunite myslimane. Grupi i Shtetit Islamik konfirmoi se ishte pas sulmit.

Duke folur pas fillimit të bisedimeve me SHBA-të në Katar, Ministri i Jashtëm taleban i Afganistanit, Amir Khan Muttaqi tha se, “të dy palët ranë dakord të respektonin kushtet e marrëveshjes së Dohas të nënshkruar në vitin 2020”.

Viktimat brenda një xhamie pas një shpërthimi në Kunduz, provincën veri të Afganistanit, 8 tetor 2021.

Marrëveshja përfshin detyrime të talebanëve për të ndërmarrë hapa për të parandaluar grupe të tilla si al-Qaeda që të kërcënojnë sigurinë e SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Muttaqi tha se, “zyrtarët amerikanë u kishin thënë gjithashtu talebanëve se do të ndihmonin në shpërndarjen e vaksinave anti-COVID dhe ndihmës humanitare”.

SHBA-tё nuk kanë komentuar ende mbi detajet e bisedimeve të së shtunës, por një zëdhënës i departamentit të shtetit tha më parë se, zyrtarët do ta përdorin takimin për të bërë presion ndaj talebanëve për të respektuar të drejtat e grave, për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse dhe për të lejuar agjencitë humanitare qё të veprojnë.

Takimi pritet të vazhdojë të dielën.

Muttaqi u tha gazetarëve se, grupi islamik donte të përmirësonte marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, por paralajmëroi gjithashtu se askush nuk duhet të ndërhyjë në politikat e brendshme të asnjë vendi.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se bisedimet janë një vazhdimësi e angazhimit me talebanët për çështje me interes kombëtar, dhe jo për dhënien e legjitimitetit tё qeverisë së grupit.

Ndërsa bisedimet po zhvilloheshin në kryeqytetin e Katarit Doha, në Afganistan po mbaheshin ceremonitë mortore për viktimat e sulmit të së Premtes.

Kombet e Bashkuara bënë me dije se, shpërthimi i së premtes ishte “sulmi i tretë vdekjeprurës në një institucion fetar” dhe e quajtën si pjesë të një “modeli shqetësues të dhunës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore