Kosova

Afganët e Kosovës – Ata që s’mund të shkojnë në SHBA do vendosen në një shtet tjetër


Afganet ne kampin amerikan ne Kosove

Zyrtarët amerikanë janë në bisedime që afganët e mbetur në Kosovë t’i dërgojnë në Suriname, shteti i vogël në Amerikën Jugore, pasi që kanë dështuar të plotësojnë kërkesat për hyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton gazeta amerikane The Wall Street Journal, bazuar në burime të mediumit.

Ambasadori i Surinameve në SHBA ka konfirmuar se bisedimet janë në fazën preliminare, dhe se shteti i tij po e konsideron nëse duhet të pranojë apo jo.

“Po e konsiderojmë”, ka thënë ambasadori Marten Schalkëijk, duke shtuar se vendi i tij do ta caktojë një ekip për bisedime.

“Në përgjithësi, Surinamet janë një vend ku njerëzit mund të adaptohen shpejt”, ka deklaruar ai.

Departamenti Amerikan i shtetit ka refuzuar që të jap një koment rreth këtij zhvillimi.

Afganët që gjenden në Kosovë ishin evakuuar vitin e kaluar pas largimit të SHBA-ve nga Afganistani dhe marrjes së pushtetit nga talebanët.

“Departamenti amerikan i shtetit është në bisedime të vazhdueshme me aleatë dhe partnerët për të gjetur vende banimi të sigurta për afganët që s’kanë mundësi të futen në SHBA”, ka thënë një zëdhënëse përmes e-mailit.

“Nuk do flas për specifika të bisedimeve për asnjë vend”.

Grupi i afganeve te adhur ne Kosove

SHBA-të sollën afganët në Kosovë, shumica prej tyre familje, dhe i vendosën në Kampin Bondsteel, pasi ishin ndaluar edhe për një proces shtesë vlerësimi gjatë Vetting-ut që u bëhej. Procesi përfshinte intervista dhe kontrollim të historisë kriminale. Të tjerë që kishin green cards, apo shtetësi amerikane ishin lënë direkt të kthehen në SHBA.

Kishte mes familjarëve që kishin vetë mundësi të shkonin në SHBA, por jo edhe pjesa tjetër e familjes, prandaj kishin vendosur të qëndronin të gjithë bashkë.

WSJ ka biseduar me disa afganë që gjenden në Kosovë. Ata kanë shprehur pakënaqësi me vendimin për t’u dërguar në Suriname për shkak të ekonomisë së dobët të atij shteti dhe nivelit të lartë të krimit.

Suriname ka popullsi prej 600 mijë banorësh, dhe të ardhurat për kokë banori janë rreth 4500 euro në vit.

Mes atyre që vazhdojnë të mbesin në Kosovë, janë edhe një grua amerikane e martuar me një afgan dhe tre fëmijët e tyre.

Ajo është gati të lind edhe fëmijën e katërt, por nuk është lënë të kthehet në SHBA. Burri i saj, një biznesmen afgan, nuk është lejuar të futet në SHBA.

Departamenti Amerikan i shtetit nuk ofron arsyet e moslejimit dhe shumica prej afganëve thonë se nuk e dinë pse janë diskualifikuar. Afganët e vendosur në kamp janë të fushave të ndryshme nga biznesmen e deri te ish shefi i një agjencie të inteligjencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore