Shqipëria

Abuzimi me tenderin e naftës, ish-Prefekti i Kukësit merret në pyetje në SPAK


Ish-prefekti i Kukësit, Granit Gjana është paraqitur këtë të premte të 15 dhjetorit në Prokurorinë e Posaçme SPAK. Ai do të merret sërish në pyetje sipas procedurës.

Kjo, pasi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për blerje karburanti gjatë kohës që mbante postin e zëvendës kryetarit të bashkisë së Kukësit.

Ndërkohë një javë më parë, Gjykata e Posaçme konfirmoi pezullimin nga detyra të prefektit të Kukësit, Granit Gjana.

Gjana tha se dha dorëheqjen si Prefekt për t’u përballur me drejtësinë si qytetar.

SPAK tha se ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”.

Sipas hetimeve, Gjana ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit një ditë më parë.

Ai ishte thirrur nga SPAK disa muaj më parë, kur u pyet në lidhje me çështjen, por edhe në lidhje me shkeljet e ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.

Hetimi për Gjicin

Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.

Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.

Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.

Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.

Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.

Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.

Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “WhatsApp”.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore