Sport

Abu Dhabi mbetet në Formula 1 deri në vitin 2030


Para garës së fundit të sezonit që do të zhvillohet këtë të dielë në Abu Dhabi, Formula 1 ka një lajm të mirë për drejtuesit e kësaj piste.

Kontrata e tyre me sportin më të shpejtë në botë, është rinovuar deri në vitin 2030.

Yas Marina është shndërruar në një nga garat më ikonike të Formula 1 që nga hera e parë kur mbajti garën në vitin 2009.

Gara që nis nën perëndimin e diellit dhe mbaron me ditë artificiale, ka prodhuar shumë momente që do të mbahen gjithmonë mend në historinë e sportit.

Hiç më ndryshe nuk është këtë vit.

Aksidenti në Monza, mes Lewis Hamilton dhe Max Verstappen

Në këtë pistë, vetëm për herë të dytë në historinë e sportit, dy pilotët pretendent për titull, vijnë në garën e fundit me pikë të barabarta.

Lewis Hamilton dhe Max Verstappen kanë nga 369.5 pikë, dhe fituesi në këtë garë merr gjithçka.

Hamilton për historinë, apo Verstappen për titullin e parë – në Yas Marina vendoset gjithçka.

Po të mos mjaftonte kjo, drejtuesit e Abu Dhabi-t morrën edhe një dhuratë.

Kjo pistë do të jetë pjesë e Formula 1, të paktën deri në vitin 2030.

Mirëpo, këtë vit, pista ka ndryshuar pak, me disa modifikime në kthesat shtatë, 11 dhe 17.

Pra asgjë nuk mund të parashikohet në këtë pistë, me momentin historik që na pret të dielën me fillim në orën 14:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore