Lajme

Abdixhiku takohet me Sarrazinin, kërkon dënimin e gjuhës luftënxitëse të Vuçiçit: Serbia përgjegjëse për sponzorizimin e terroristëve


Lumir Abdixhiku dhe Manuel Sarrazin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, takoi Emisarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në kuadër të vizitës së tij emergjente pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ku një grup i armatosur qëlloi mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, njoftoi të hënën se në takim me emisarin gjerman shprehu domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj, siç tha ai, gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës.

“Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve”, nënvizoi kreu i LDK-së, derisa shtoi se në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleatë janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi të palës serbe.

“Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”, theksoi deputeti Abdixhiku, derisa falënderoi Gjermanisë dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të ditës së dielë.

Ndërkaq, diplomati gjerman takoi paradite edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sarrazini dënoi ashpër sulmin terrorist në termat më të ashpër të mundshëm. Ai potencoi se Gjermania qëndron prapa Qeverisë së Kosovës dhe popullit kosovar kur bëhet fjalë për situata të tilla.

“Dje pamë një situatë të tmerrshme. Dua ta them shumë të qartë se ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët e policit të vrarë dhe gjithë Kosovën. Jemi në anën tuaj në këtë situatë”, tha Sarrazini para gazetarëve në Prishtinë.

Top-diplomati gjerman do të marrë pjesë edhe në mbledhjen komemorative që do të mbahet nga ora 12:30, për nder të policit të rënë në detyrë, tashmë hero i Kosovës, ndërsa më pas, pritet të takohet edhe me presidenten kosovare Vjosa Osmani pasditen e së hënës në zyrën e saj.

Vizita e Sarrazit është paralajmëruar të dielen nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, pas tensioneve në veriun e Kosovës, ku një grup terrorist ngriti në nivele të skajshme shkallën e egërsisë, i cili, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy të tjerëve, gjeti strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikadua për orë të tëra.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Dita e hënë (25 shtator) do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore