Lajme

Abdixhiku: Shqipëria drejt pagës 950 euro për mësues – Kurti i zënë me populizëm e përçarje urrejtëse


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, derisa komentoi premtimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për reformimin e sistemit të pagave dhe kualifikimeve për mësuesit, ku parashihet ngritja e pagave në 950 euro, kritikoi ashpër kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke thënë se edhe krahasimi me vendet e rajonit po bëhet i pakuptimtë.

“Shqipëria drejt pagës 950 euro për mësues! Gjersa kryepopullisti ynë është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni të Veriut, edhe krahasimi me vendet fqinje ka nisë të mos ketë më kuptim. Është në vitin e katërt të Qeverisë. Do të ketë menaxhuar plot 12 miliardë euro për këto katër vjet; më shumë se secili njeri në histori të vendit; dhe prap asnjë shenjë!”, shkroi ai.

Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet në Kosovë – zyrtarisht i është bashkëngjitur frontit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht koalicionit të përbërë nga Lëvizja Besa, Alternativa Shqiptare dhe Lëvizja Demokratike – Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut do të mbahet më 8 maj të këtij viti.

E kreu i LDK-së deklaroi se ‘Rruga e Re’ është zgjidhja kundrejt “propagandës, fjalëve të thata e përçarjes urrejtëse”, derisa shtoi se në platformën qeverisëse të LDK-së, paga për mësimdhënësit kosovarë do të ngritet në 756 euro apo rreth 23 për qind më shumë sesa është aktualisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore