Lajme

Abdixhiku: Paranoja dhe paaftësia e një pushteti populist me kosto të lartë për Kosovën


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar të enjten pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë mbi 6 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1 deri 5 e mbi 6 të tjera për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1 deri 9.

Abdixhiku, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se shteti ka vendosur të ngarkojë secilin prind me detyra të vet shtetit, pra blerjen e teksteve shkollore për nxënësit filloristë, derisa ka shtuar se se pushteti ka dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht.

“Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim, janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, ka thënë fillimisht kreu i LDK-së.

Dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

“Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim. Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë”, ka thënë tutje Abdixhiku.

MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “e-Kosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Kreu i LDK-së ka thënë se në vend që ekzekutivi të flasë për digjitalizim të shkollave apo futjen e intelegjencës artificiale lëndë mësimore, ai po merret me, siç ka thënë ai, blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve.

“Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim. Prandaj, e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”.

Të premten e javës së kaluar është hapur aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa, siç ka njoftuar MASHT-i, paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare para 1 shtatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore