Lajme

Abazoviçi përuron shkollën e vetme shqipe në Rozhajë


Dritan Abazoviç

Kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç, së bashku me ministrin e Arsimit, Miomir Vojinoviç dhe ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, të martën ka marrë pjesë në përurimin e një shkolle në Komunën e Rozhajës, ku mësimi do të jetë vetëm në gjuhën shqipe.

Abazoviçi i cili me origjinë është shqiptar, lindur e rritur në Ulqin, ka theksuar se është hera e parë që një kryeministër i Malit të Zi vjen në këtë shkollë ku vijojnë mësimet 23 nxënës shqiptarë, derisa ka njoftuar se rikonstruktimi i shkollës së vetme në shqip ka kushtuar 250 mijë euro.

“Kemi të bëjmë me shkollën e vetme në Rozhajë që mban mësim në gjuhën shqipe. Sot është hera e parë në histori që kjo shkollë vizitohet nga kryeministri. Punimet kapin vlerën e rreth 250,000 eurove, kurse në shkollë vijojnë mësimet 23 nxënës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit malazez.

E në lidhje me hapjen e kësaj shkolle ku do të mësohet veç në gjuhën shqipe, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka ndarë një fotografi të Abazoviçit me disa nxënës shqiptarë, derisa e ka cilësuar atë “ma të mirin e të tanëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore