Lajme

Abazoviç përshëndetet me anëtarët e kabinetit: Faleminderit për gjërat e mëdha që kemi bërë për Malin e Zi


Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është përshëndetur me anëtarët e kabinetit të tij, teksa në Kuvend është duke u zhvilluar seanca në të cilën do të zgjidhet kryesia e re e Kuvendit dhe Qeveria e 44-të.

“Faleminderit për të gjitha gjërat e mëdha që kemi bërë për Malin e Zi. Le të vazhdojmë përpara”, shkroi Abazoviç në platformën X.

Kryetar i Kuvendit pritet të zgjidhet një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit te Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Andrija Mandiç, derisa kryeministër do jetë Milojko Spajiç – si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Spajiç ka arritur marrëveshje me partitë pro ruso-serbe, si dhe ato shqiptare për të formuar qeverinë që do të udhëhiqet nga ai.

Spajiç, në pozitën e kryeministrit të Malit të Zi, do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in – i cili, me partinë që e udhëheqë, Lëvizjen Qytetare URA, së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe me deputetët boshnjakë do të jenë në opozitë.

Spajiç ka theksuar se “vizioni ynë është Mali i Zi si Zvicra e Ballkanit dhe Singapori i Evropës”.

“Qeveria që po ju prezantoj sot është pasqyrë e të kuptuarit pikërisht të atyre pritjeve nga zgjedhjet e qershorit”, ka thënë Spajiç në ekspozenë e tij drejtuar kuvendit malazez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore