Lajme

Abazoviç: Në Mal të Zi është krijuar narrativa se “Shqiptari s’di të vendosë për vendin”


Dritan Abazoviç
Dritan Abazoviç, kryeministri i Malit të Zi, nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se ka “njerëz që pas 30 gushtit të vitit 2020 nuk mund të lidhen më me sistemin shtetëror”.

“Ata ftohen që vazhdimisht të bëjnë diçka, të shkaktojnë urrejtje fetare dhe kombëtare”.

Këta njerëz, sipas Abazoviç, krijojnë një atmosferë se kinse “Shqiptari nuk di të vendosë për ne për vendin tonë’.

“Ky është rrëfimi, u shtyp butoni dhe të gjithë ushtria e tyre drejtohet te unë dhe Qeveria ime”.

Më tej Abazoviç ka bërë të ditur se është i gatshëm të zbulojë “të gjitha gjërat që fshihen nën qilim”.

“Po zhvillohet një aksion i organizuar për destabilizimin e shtetit. DPS po e shtyn Malin e Zi në probleme të mëdha me këtë politikë. Nuk e di nëse presidenti i DPS-së merr më shumë vendime në emrin tuaj apo është i shantazhuar”.

Sipas Abazoviç, interpretuesit e politikës së destabilizimit të Malit të Zi janë deputeti i SDP-së, Rashko Konjeviç dhe deputeti nga radhët e DPS-së Pegja Boshkoviç.

“Mos mendoni se nëse nesër ndodhin gjëra në rrugë, nëse derdhet gjak, nuk jeni përgjegjës për këtë. Po ju paralajmëroj nga kjo foltore. Unë e ftoj SDT-në të kontrollojë këto pretendime. Këta janë njerëzit që po e shtyjnë Malin e Zi drejt destabilizimit. Ju po e shtyni Malin e Zi në krahët e botës serbe, duke rrënuar shoqërinë civile”, ka thënë Abazoviç.

Pse po bëhet mocioni i mosbesimit për qeverinë e Abazoviç?

Disa parti opozitare në Mal të Zi paraqitën një mocion mosbesimi pasi Abazoviç, pa njoftim paraprak, nënshkroi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe në Podgoricë në fillim të gushtit.

Në sqarim e tyre thuhet se Qeveria ka pasur detyrë prioritare që të krijojë parakushtet për intensifikimin e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, bazuar në reformat e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Një pjesë e partive nuk kanë qëndrim të qartë.

Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, pro-serb dhe pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiqit, Partia Boshnjake dhe as një pjesë e partive kombëtare shqiptare, nuk kanë qëndrim të qartë rreth nismës për rrëzimin e Qeverisë.

Një pjesë e votave të tyre – të paktën pesë – nevojiten për rrëzimin e Qeverisë.

Vetë kryeministri Abazoviç, nuk ka mundur të deklarojë me siguri nëse Qeveria do të mbijetojë apo do të rrëzohet në këtë seancë parlamentare.

Ai vazhdimisht ka paralajmëruar se nëse Qeveria “i mbijeton votës”, është i gatshëm që të nesërmen të rindërtojë Qeverinë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore