Lajme

Abazoviç: Kam marrë ftesë nga Spajiç-i për të diskutuar për qeverinë e re


Dritan Abazoviç

Kryeministri me mandat teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se e përkrah përbërjen e mundshme të qeverisë së re, “nëse ka një përbërje që mund të sjellë ndryshime në Mal të Zi”, mandatar për të cilën është caktuar Milojko Spajiç – lideri i Lëvizjes Evropa Tani.

Abazoviç ka bërë me dije se partia që ai e udhëheqë, Lëvizja Qytetare URA, ka marrë ftesë për takim nga Spajiç, për të negociuar për pjesëmarrjen e mundshme të kësaj partie në ekzekutivin e tij, mirëpo nuk ka bërë të ditur se kur do të mbahet.

“Sigurisht që na duhet një qeveri e re dhe në këtë kontekst nuk kam asnjë kundërshtim. Do të shohim se cili do të jetë konfigurimi dhe kush do të jetë në të. Por, në thelb, synimi është grumbullimi i këtyre forcave nga 30 gushti dhe vazhdimi i rrugës së reformës”, tha Abazoviç, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

“Kemi marrë një ftesë, do të shohim nëse do të takohemi. Në parim kemi qëndrimin se dialogu nuk duhet shmangur asnjëherë në asnjë situatë, me askënd… Do të shohim nëse do ta realizojmë tani”, shtoi.

Ndryshe, të martën mandatari Milojko Spajiç, i ka ofruar Malit të Zi Demokratik – e njohur për orientimin e saj pro-ruso-serb që t’i bashkohet qeverisë së tij.

Nga ana tjetër, demokratëve të Aleksa Beçiç-it, iu është ofruar posti i zëvendëskryeministri, posti zëvendëskryeministrit të qeverisë për politikën dhe sigurinë, posti i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian dhe Punë të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Mbrojtjes, e Ekologjisë dhe Ministria e Kulturës.

Qeveria e Spajiçi-it pritet që të ketë mbështetjen e 49 deputetëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore