Shqipëria

A përfshihet Shqipëria në agjendën e ‘tigërve’ të Pentagon-it?


Foto nga Albanian Post

Pentagoni dëshiron të përshpejtojë shitjet e armëve dhe në muajin gusht krijoi të ashtuquajturin “ekip i tigërve”.

Në të përfshihen ​​një grup zyrtarësh të rangut të lartë, të cilët po studiojnë joefektivitetin e shitjeve të armëve amerikane.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”.

Shitjet e armëve, drejt vendeve të huaja – po koordinohen në mënyrë që SHBA-të të konkurrojnë më mirë me Kinën.

Së dyti, mbetet edhe plotësimi i arsenaleve të vendeve aleate që kanë ofruar pajisje ushtarake për Ukrainën.

Mes tyre renditet dhe Shqipëria që ka qenë nga të parat vende që ka dërguar municione drejt Ukrainës.

“Ekipi i tigërve” do të kërkojë mënyra për Departamentin e Mbrojtjes që të përmirësojë pjesët e programit për të ofruar dronët, armët, helikopterët, tanket dhe armët e tjera amerikane më shpejt, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.

Zyrtarët që punojnë me vendet për kërkesat fillestare për drone të rinj, për shembull, mund të trajnohen për t’i ndihmuar ato vende të hartojnë letra më mirë.

Kjo, duke hequr pengesat që lindin për shkak se kërkesa fillestare ishte shumë e gjerë, etj.

Siç shkruan WSJ-ja, ritmi i ngadaltë mund të lërë disa vende të pasigurta nëse SHBA-të vërtet dëshirojnë që ata të jenë partnerë.

Ekziston rreziku që vendet me të cilat SHBA-të dëshiron të qëndrojë afër, do të blejnë armë diku tjetër.

Rritja e tensioneve me Kinën dhe pushtimin rus të Ukrainës nxiti shqyrtimin urgjent, i cili filloi në Pentagon rreth një muaj më parë, thanë zyrtarët.

Zyra për Shtyp e Pentagon-it nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Albanian Post për konfirmim.

Porosia

Kujtojmë që porosia e qeverisë shqiptare për sistemin raketor ‘Javelin’, pritet të përfundojë më 28 shkurt të vitit 2025.

Lajmin e bëri të ditur faqja “Military Leak”, duke cituar kontratën e modifikuar të kompanisë amerikane.

Raytheon/Lockheed Martin Javelin JV iu dha një modifikim prej 71 milionë dollarësh për kontratën W31P4Q-19-C-0076 për Sistemin e Raketave Javelin.

Kjo kompani prodhon sistemin ‘Javelin’, e cila shërben si një armë portative antitank për një përdorues.

Puna do të kryhet në Tucson, Arizona dhe Komanda Kontraktuese e Ushtrisë Amerikane, Redstone Arsenal, Alabama, është kontraktuesi i aktivitetit.

Komanda nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

FGM-148 Javelin është një sistem raketor portativ antitank i prodhuar nga SHBA-të që nga viti 1996 dhe i përmirësuar vazhdimisht.

Ai zëvendësoi raketën antitank M47 Dragon në shërbimin amerikan.

US To Double Production Of Javelin Missiles Amid Sharp Rise In Demand Due To Ukraine War

Deklarata

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të kenë në dispozicionin e tyre një nga sistemet më të mira raketore antitank “Javelin”.

Lajmi do të konfirmohej nga vetë ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Është në kuadrin e modernizimit të FA (Forcat e Armatosura – AP), rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n”, deklaronte zyrtari shqiptar.

Veç këtij sistemi, sipas Ministrit të Mbrojtjes, do të ketë edhe blerje të tjera apo donacione nga partneri strategjik i Shqipërisë, SHBA-të apo nga partnerë të tjerë në NATO.

Agjencia “Reuters” publikoi një lajm të beftë katër ditë më parë, i cili zbulonte se Shqipëria renditej mes qeverive që kishin porositur raketat ‘Javelin’.

Sipas saj, ushtria amerikane i kishte dhënë kohët e fundit dy kontrata prodhimi kompanisë “Javelin Joint Venture”.

Pajisjet dhe shërbimet përkatëse kapnin një vlerë totale prej 309 milionë dollarësh.

Detajet

Komisioni për ndarjet buxhetore në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

“Shitjet ushtarake të huaja janë transaksione nga qeveria në qeveri dhe ne punojmë ngushtë me qeverinë e SHBA-ve për çdo shitje ushtarake për aleatët ndërkombëtarë. Diskutimet rreth shitjeve për qeveritë e huaja trajtohen më së miri nga qeveria amerikane”.

Kështu deklaroi për Albanian Post, përgjegjësja e medias për kompaninë Lockheed Martin Corporation, Cristina Vite.

Këto kontrata përfshijnë më shumë se 1 mijë e 300 raketa Javelin të financuara nga Akti i fundit i Ndarjeve Suplementare të Ukrainës.

Por kontrata e dytë, llogariste edhe porosi për disa klientë ndërkombëtarë, duke përfshirë Shqipërinë (Norvegjinë, Letoninë dhe Tajlandën idem. – AP).

Javelin është zhvilluar dhe prodhuar nga Javelin Joint Venture, një partneritet i Raytheon Missiles & Defense dhe Lockheed Martin.

Sistemi i gjithanshëm i raketave të drejtuara kundër tankeve dhe me shumë objektiva ofron aftësinë për të shkatërruar në rrezen e tij të plotë – deri në katër kilometra në shumicën e kushteve operacionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore