Lajme

A mund të bësh gabimisht “share” në Facebook? – Ekspertët e kibernetikës sqarojnë argumentimin skandaloz të Bislimit


Ikje nga përgjegjësia dhe sqarim jo i besueshëm po cilësohet nga njohësit e fushës së kibernetikës, reagimi i Klisman Kadriut, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, pasi në profilin e këtij të fundit është shpërndarë “pa dashje” një postim i një qytetari në Facebook, në të cilën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, etiketohej si “pro-serb”

Kadriu, e ka pranuar që shefi i tij ka postuar gabimisht postimin e lartcekur, por ka potencuar se “ajo është fshirë menjëherë”.

“Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim”, ka shkruar në Facebook Kadriu.

Çfarë thonë ekspertët e kibernetikës?

Mentor Hoxhaj, udhëheqës i CyberSecurity and Privacy, thekson për AP se përgjegjësia jo vetëm publike, por edhe penale vjen nga pëlqimi komentimi apo shpërndarja e një postimi.

Prandaj, sipas tij, të thuash që një shpërndarje ka qenë gabim, “është të tentosh të i ikësh kësaj përgjegjësie”.

“Ne veçanti kur kjo bëhet nga një figurë publike pavarësisht kush është ai apo ajo. Në të gjitha rastet do duhej të kemi një sqarim dhe dikush do duhej të marrë përgjegjësinë për “gabimin”, tha Hoxhaj.

Ndërsa për njohësin e sigurisë kibernetike, Halil Berishën, rasti i fundit me postimin e zëvendës-kryeministrit Besnik Bislimi, së paku tregon mos-kujdes të madh të ekipit që ia menaxhon profilin apo të atij vet, “nëse veç ka qenë gabim ashtu siç u deklarua këshilltari i tij, Klisman Kadiu”.

“Megjithatë, sqarimi i tij është jo edhe lehtë i besueshëm, pasi shpërndarjet në rrjetin social Facebook, është goxha vështirë të bëhen gabimisht, pasi që është proces me dy hapa”, pohon Berisha.

“Edhe nëse përdoret në kompjuter apo telefoni, qoftë IOS ose Android, për të shpërndarë postime duhet fillimisht të shtypet butoni “Share” e pastaj të konfirmohet edhe njëherë opsioni se si do të shpërndahet postimi. Pra, po t ‘ishte proces me vetëm një hap, mundësia për gabim kish me qenë reale”.

Sipas Berishës, shumë më e mundshme është që një mesazh të publikohet gabimisht pasi kërkon veç një klikim se sa të shpërndahet një postim.

“Rrjetet sociale, për shkak të përdorimit të madh të qytetarëve janë shndërruar në kanale zyrtare të komunikimit për politikanët qoftë me qytetarët qoftë në diplomaci të jashtme. Kësisoj edhe rëndësia që u kushtohet atyre është jashtëzakonisht e madhe. Kjo për tu siguruar që nuk ndodhin gafa e skandale të cilat munden me sjellë edhe pasoja”.

Por, profesor i shkencave kompjuterike, Blerton Abazi, konsideron që gabime të tilla janë njerëzore dhe lehtë mund bësh shpërndarje me një klik të vetëm, sidomos nëse artikulli lexohet nga telefoni ku hapësira është shumë më e limituar.

“Duket se një shpërndarje e tillë ka ndodhur pa dashje, megjithatë ekipet e këshilltareve dhe zyrtaret për media duhet të kenë kujdes më të shtuar gjatë përdorimit të rrjeteve sociale”, potencon Abazi për AP.

Ai tregon që edhe nga qeveritë e tjera kemi pasur edhe statuse publike të cilat më pas janë fshirë si “aksidentale” apo edhe lëshimin në komente me përdorues të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore