![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/06/Screenshot-2024-06-18-173059.jpg)
E përditshmja franceze Le Figaro ka raportuar se ylli i ekipit kombëtar, Kylian Mbappe, do të mungojë dy ndeshjet e mbetura në grup, për shkak të një dëmtimi të rëndë të marrë në hundë.
Në ndeshjen ndaj Austrisë, Mbappe u përplas me supin e një lojtari austriak në zonë dhe në mënyrë të qartë hunda e tij u thye, ku pamjet u bënë virale në rrjet.
Ai u nxor më pas nga fusha e lojës dhe situata ishte e paqartë, deri në një njoftim nga Federata Franceze e Futbollit se Mbappe nuk do kalonte për operim, por do të vendoste një maskë në fytyrë për frakturën e rëndë që kishte marrë.
Nuk u përmbyll aty gjithsesi nëse ai do të luante apo jo ndeshjet e mbetura në grupe.
Vetë Mbappe, me shaka kërkoi në median sociale X, ish-Twitter, ndonjë ide të bukur për maska, duke parë dëmtimin e tij – një postim që është parë nga 35 milionë përdorues në botë.
Gjithsesi, sipas Le Figaro, do të jetë shumë e vështirë që kapiteni të kthehet në fushë në dy ndeshjet e mbetura të grupit, kundër Holandës dhe Polonisë. Por, ai do të jetë aktiv në rast kalimi të fazës së grupeve nga ana e Francës.
Mbetet ende ndërkohë për t’u parë përfundimisht nëse trajneri Didier Deschamps do të vendosë ta aktivizojë Mbappe-në apo jo në grupe.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com