Kurti takon Kamberin: Lugina e Preshevës vazhdon të ketë mbështetjen e palëkundur të Qeverisë
![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/03/AAlbin-kurti.jpg)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka takuar deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me bashkëpunëtorët, kandidatët për kryetarë komunash në Preshevë e Bujanoc, Ardita Sinani e Ragmi Mustafi.
Bashkëbisedimi, sipas një komunikate për media, u fokusua rreth situatës politike dhe të sigurisë në rajon.
Gjithashtu, theksohet në komunikatë, gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas komunikatës për media, shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë ta kenë mbështetjen e palëkundur të Qeverisë së Kosovës përballë diskriminimit e politikave shtypëse të Beogradit ndaj komunitetit shqiptar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka ndarë 3 milionë euro për Luginën në buxhetin e këtij viti, jo vetëm për të ndihmuar në ruajtjen e kulturës e identitetit por edhe për të rritur mbështetjen për programe të tjera siç është ai i bujqësisë”, thuhet në komunikatë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com