Lajme

Konjufca: Moti jam për zgjedhje, vetëm duhet ta vendosim kohën e përshtatshme


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është i të njëjtit mendim me opozitën që të shkojë në zgjedhje, vetëm se duhet të specifikohet se cila stinë është më e përshtatshme për zgjedhje.

Konjufca, në një deklaratë për media ka theksuar se të gjithë i përkasin të njëjtit qëndrim që këtë vit të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Të gjithë po thonë se këtë vit duhet të shkohet në zgjedhje, por ky vit i ka disa muaj nuk mund ta them saktë se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje. Vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme a është vera apo vjeshta”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje ka shtuar se s’do të habitej edhe nëse ndonjë nga grupet parlamentare do të niste mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit apo shpërbërjen e Kuvendit.

“Nuk e përjashtoj që në të ardhmen ndonjë grup parlamentar të nisë mbledhjen e nënshkrimeve. Ju e dini që unë qysh moti jam për zgjedhje, kam thënë që opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje”.

Albin Kurti, u zgjodh kryeministër i Kosovës në mars të 2021-së për herë të dytë sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai shërbeu në të njejtën pozitë nga shkurti deri në qershor të 2020-së.

Rezultate këto që vinin nga zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021.

Nga këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

KQZ-ja njoftoi se LVV-ja në zgjedhjt e 14 shkurtit kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%), PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%), LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Prioritetet e kryeministrit Kurti, të cilat u paraqiten me fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit ishin lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 brenda një viti, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike.

Ai edhe me fitoren e zgjedhjeve thoshte se dialogun me Serbinë s’do ta kenë pjesë të prioriteteve, duke paralajmëruar vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte prezantuar programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877 mijë e 503.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore