Kenia, shtet në Afrikën lindore, ka shprehur gatishmërinë e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Kështu të paktën ka bërë të ditur, ministri i Jashtëm i Kenias, Alfred Mutuar, gjatë një konference për media në Nairobi duke konfirmuar se po zhvillohen diskutime që Kenia ta njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës.
Ministri Mutua, gjatë konferencës, konfirmoi edhe vizitën e ardhshme të Osmanit në Kenia për të diskutuar për njohjen.
Deklarata e tij vjen pas takimit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi me homologun e saj nga Kenia, William Ruto, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Lëvizja e Kenia drejtë njohjes së shtetësisë së Kosovës, sipas mediave atje, mori vrull në fillim të këtij viti kur ajo njohu zyrtarisht pasaportat kosovare në mars, i cili ishte hap i rëndësishëm në formalizmin e lidhjeve diplomatike midis Kenias dhe Kosovës.
Ndryshe Osmani kishte bërë të ditur se në takim me presidentin Ruto kishte diskutuar për thellimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Kenias.
“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t’i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, kishte shkruar Osmani shkurtimisht në platformën sociale Facebook.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com