Aplikacione

Hetim ndaj Facebook-ut në Britani


Në Britani, rregullatori i konkurrencës po përgatit një hetim antitrust ndaj Facebook-ut brenda disa muajve të ardhshëm, duke dhënë goditjen e fundit kundër kompanive të mëdha teknologjike pas hetimeve të ngjashme në fillim të vitit ndaj Google-it dhe Apple-it.

Agjencia e lajmeve, Financial Times, zbulon se Autoriteti i Konkurrencës dhe i Tregjeve (CMA) do të hedhë një vështrim gjithëpërfshirës në mënyrën se si Facebook-u pretendohet se përdor të dhënat e klientëve për të “shtypur” rivalët e mediave sociale dhe reklamave në internet.

Hetimi i CMA-së ndaj Facebook-ut vjen pas njoftimit të disa javëve më parë për hetimet e ngritura kundër tarifave të App Store-it të Apple-it dhe cilësimeve të reja të privatësisë nga Google-i.

Ka të ngjarë që hetimi të shqyrtojë edhe statusin e Facebook-ut të ashtuquajtur si “portier” në aftësinë e tij për të mbledhur të dhëna nga përdoruesit, në mënyrë që të rrisë avantazhin e tij konkurrues ndaj rivalëve.

Sipas burimeve të Financial Times, hetimi i CMA-së do të bazohet në raportin e rregullatorit për reklamimin digjital duke theksuar avantazhin “e fortë” që Facebook-u ka në sferën e reklamave në internet.

Mirëpo, as Facebook-u dhe as CMA-ja nuk kanë pranuar të japin komente mbi çështjen.

Kjo lëvizje e rregullatorit vjen me përgatitjen për të marrë kompetenca të reja për trajtimin e kompanive të mëdha teknologjike përmes një rregullatori shtesë digjital që do të vendoset brenda CMA-së.

Ai do të vendoset në bazë të legjislacionit të ri dhe bashkë me të, njësia e tregjeve digjitale do të krijojë edhe policinë që do të rregullojë përshtatjen e sjelljes për kompanitë e mëdha teknologjike.

Ky nuk është i vetmi problem i Facebook-ut. Kompania është nën kritika edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është paditur nga Komisioni Federal i Tregjeve në muajin dhjetor për një seri sjelljesh antikonkurruese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore