Shqipëria

KAS rrëzon Berishën sërish, PD-ja e Alibeajt qëndron e regjistruar


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve e ka rrëzuar një kërkesë nga Sali Berisha, për të rrëzuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të regjistruar në zgjedhje Partinë Demokratike, me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn.

Lidhur me këtë të fundit, vendimin e kishte marrë po vetë KAS më parë, duke e detyruar komisionerin ta regjistronte PD-në e Alibeajt në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, me plotësimin e dokumentacionit që vetë PD-ja ligjore duhet të kryente.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pala e Berishës argumentoi se çështja ndodhet aktualisht për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor, duke përfshirë vendimin e KAS-it për të detyruar komisionerin të regjistronte PD-në në zgjedhje.

Sipas palës pretenduese, përderisa çështja ndodhet në Kolegj dhe një vendim ende pritet, nuk kishte arsye se pse Celibashi të merrte vendim të menjëhershëm mbi regjistrimin e Alibeajt.

Mirëpo, kjo gjë, u hodh poshtë nga përfaqësuesi ligjor i autorizuar në KQZ, Rezart Kthupi, i cili argumentoi se një vendim i tillë i komisionerit ishte i detyruar nga KAS për t’u zbatuar, si edhe ai nuk do të ketë asnjë rol në vendimmarrjen e mëvonshme nga Kolegji.

Ky i fundit, seancën e parashikuar për pretendimin e Berishës, do ta zhvillojë më 27 mars, ku do të vendosë përfundimisht nëse Partia Demokratike, e cila do të jetë e regjistruar në zgjedhje, do të mbetet ajo e përfaqësuar nga Alibeaj, apo grupimi tjetër, i përfaqësuar nga Berisha.

Pavarësisht kësaj, vetë Berisha e ka gjetur një zgjidhje alternative rreth çështjes, pasi kandidatët e tij do të regjistrohen nën siglën e koalicionit të formuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane si edhe Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, i emërtuar “Bashkë Fitojmë”.

Në këtë koalicion, vetë PD-ja nuk figuron pjesëmarrëse, pasi Berisha nuk e ka tagrin ligjor për të përfaqësuar forcën e djathtë politike.

Ndërsa, grupimi i Alibeajt, regjistrimin e koalicionit e ka çuar në KAS, për ta rrëzuar atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore