Lajme

Trajkoviç e Gogiç flasin për Albanian Post: As Asociacioni s’na kryen punë, por s’mund të shmanget dot marrëveshja e 2013-së


Tashmë është qartësuar nga i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se termi “vetëmenaxhim” i përdorur në Aneksin për marrëveshjen e arritur me 27 shkurt, i referohet Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjeve të vitit 2013 e 2015, prandaj edhe politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviç, beson se askush në dialog nuk duhet të provojë të tregohet “kreativ” e të shmanget nga marrëveshjet paraprake.

“Unë jam në favor që të qëndrohet me idenë Asociacionit siç ishte pajtuar dhe nënshkruar në Bruksel në vitin 2013”, thotë ajo për Albanian Post.

“Nuk do të doja që të shkaktohet një situatë ku zgjidhje të reja, apo tentime për t’u bërë tejet kreativë me zgjidhje, mund të minojnë çfarë tashmë kemi arritur përmes Marrëveshjes së Brukselit dhe procesit negociues për normalizim”, deklaron Trajkoviç, duke tërhequr vërejtjen se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos e zhbëjmë atë që tashmë e kemi arritur”.

Kreativitetin negociatorët “ta shfaqin në fazën e zbatimit”, thotë Trajkoviç, kurse shton se çfarëdo që të ndodhë “Asociacioni të qëndrojë si bazë për çfarëdo zgjidhje”.

Rada Trajkoviç

Edhe studiuesi i shkencave politike, serbi nga Kosova, Ognjen Gogiç, deklaron për Albanian Post, se përtej se a ofron zgjidhje apo jo Asociacioni, marrëveshja për të duhet të respektohet sepse përbën obligim ndërkombëtar dhe poqëse do ikej nga kjo marrëveshje, atëherë do të prezantohej një parim tejet i rrezikshëm për gjithë dialogun si proces.

“Pavarësisht se nuk kam simpati për historinë e Asociacionit, besoj se duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për obligimin që ka marrë Kosova në dialog”, thotë Gogiç.

“Nëse Asociacioni nuk do të formohej, atëherë në dialog futet një parim i rrezikshëm se asgjë nuk është rënë dakord përfundimisht. Në këtë rast, asnjë marrëveshje nuk do të ishte më e vlefshme. Prandaj serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet në nëntor për të treguar se as integrimi i komunave, gjyqësorit dhe policisë nuk është i pakthyeshëm”.

Gogiç ka folur shkurtimisht edhe për dualitetin dhe ambiguitetin e fjalëve dhe shpjegimeve në Prishtinë e Beograd.

Dy qeveritë kanë dy shpjegime të ndryshme, prandaj Goiç pohon se “kur është fjala për vetëqeverisjen/vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, askush nuk e ka të qartë se çfarë do të thotë”.

“Beogradi flet për faktin se vetëqeverisja nënkupton obligimin e Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Prishtina ndoshta do ta shohë ndryshe. Megjithatë, tani për tani serbët në Kosovë besojnë se obligimi për formimin e Asociacionit është konfirmuar. Megjithatë, edhe serbët nuk presin shumë nga ai komunitet. Asnjëherë nuk e kishin të qartë se çfarë do të përfaqësonte ai Komunitet apo çfarë përfitimi do të merrnin prej tij”.

Ognjen Gogiç

Kosova dhe Serbia kanë arritur me 27 shkurt Marrëveshje për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja bazohet në propozimin franko-gjerman dhe ka 11 nene. Në nenin 7 flitet për komunitetin serb dhe nevojën për krijimit të mekanizmave të veçanta për ta, kurse në nenin 10 flitet për respektimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake.

Me 18 mars, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, arritën po ashtu pajtim për Aneksin e Zbatimit të Marëveshjes së 27 shkurtit.

Në pikën 5 flitej për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

Çka është vetë-menaxhimi?

Pas marrëveshjeve qeveria në Kosovë u mundua të portretizojë vetëmenaxhimin si një largim nga Asociacioni i vitit 2013 dhe parimet e përgjithshme të vitit 2015.

Por, kjo vetëm derisa nuk dha një intervistë të zgjeruar Miroslav Lajçak në Radio Evropa e Lirë dhe sqaroi se fjala vetëmenaxhim ka të bëjë pikërisht me Asociacionin siç ishte në dy marrëveshjet paraprake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore