Shqipëria

Fituesit e primareve, në plan të dytë


Prej tre muajsh fituesit e Primareve të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore kanë manovruar aq lëvizje të fushatës zgjedhore sa kanë mundur.

Kampi socialist sakaq ka filluar shumë më herët parashtrimin dhe gatitjen, duke shkuar madje edhe deri në parashikime apo sondazhe të fitores më 14 maj.

Të dielën e 5 marsit, kandidatët e djathtë për kryebashkiakë të dalë pikërisht nga votimet e Kryesisë janë kthyer në ditën e parë të punës.

Kjo, sepse Gjykata e Apelit të Përgjithshëm u revokoi mundësinë që të garojnë nën logon dhe vulën e Partisë Demokratike.

Edhe pse janë përpjekur të mbulojnë zhgënjimin për këtë vendim, duke e justifikuar si shtytje politike për elektoratin blu, kandidatët kanë kaluar në plan të dytë.

Ata mbeten sërish vija e parë e kandidatëve që do të përballen me kryebashkiakët aktualë ose kandidatët e mundshëm të mazhorancës më 14 maj.

Prova e qartë erdhi nga zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit të kaluar, ku kandidatët e PD-së zyrtare dolën të fundit për vota në secilën bashki.

Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi gjatë mesditës një takim me të gjithë kandidatët të dielën në selinë e Partisë Demokratike për të vendosur lëvizjet e radhës.

“Në vendimet që do të marrim, sigurisht që ju keni zërin tuaj dhe partia nuk merr asnjë vendim pa një konsultë me ju. E vërteta është që jeni ju kandidatët e lirisë, kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, por jo vetëm të këtij vendi, por edhe të vendeve të tjera që zgjidheni me votën e lirë të anëtarësisë dhe mbështetësve të PD”, u shpreh fillimisht ai.

Sipas tij, personaliteti i pëlqyer i kandidatëve demokratë, “ka tmerruar Edi Ramën, narko-shtetin dhe jo vetëm, por edhe aleatët e tij”.

Kjo, duke menduar se “mund të na pengojë të marrim pjesë dhe të fitojmë zgjedhjet më 14 maj”, shtoi Berisha.

Variantet

Në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati final i regjistrimeve për zgjedhjet vendore do të shohë dhe ballafaqimin e fundit mes palëve brenda së njëjtës forcë politike.

Grupimi i Alibeajt me vendimin e Apelit do të dorëzojë dokumentet për regjistrim, por të njëjtën gjë pohoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha një ditë më parë.

“Unë besoj që KQZ nuk do pranojë kurrë një gjë të tillë, them se do i përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do lozë me një procedurë të tillë e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrimit të tyre pa filluar. Ne do paraqesim të gjithë dokumentet për regjistrim në KQZ, siç na takon, dorëzojmë dhe vendimin i cili për kohën që nuk është bërë rekursi është vendimi i gjykatës së faktit. Normalisht duhet të jetë i vetmi vendim, nuk shqyrtohen kurrë në Apel këto vendime”.

Kjo përplasje që vazhdon prej kohësh me shumë gjasë do të shohë grupimin më të madh brenda selisë blu, kohë më parë të quajtur “Komisioni i Rithemelimit” në një aleancë të ngjashme me Partinë e Lirisë gjatë zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.

Ajo nxori asokohe nga dy kandidatë për 6 bashkitë e mbetura, disa nën siglën blu e disa nën siglën e një koalicioni të shumëdiskutuar, të quajtur “Shtëpia e Lirisë”.

Një tjetër variant në tryezën e diskutimeve por që nuk gjen mbështetje të gjerë është ai i “kandidatëve të pavarur”.

Ishte Berisha, i cili përjashtoi se, do të ketë një kandidim të pavarur nga emrat e dalë në Primaret e mbajtura.

Varianti i tretë dhe më pak realist është ai i bashkimit të kandidatëve, i propozuar nga deputeti Dashnor Sula dhe i mbështetur nga kolegu i tij Kreshnik Çollaku.

Pra, palët të shkojnë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatë të përbashkët, “të të gjithë demokratëve nën siglën e PD-së, unike e të pandarë”.

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri

Kandidatët “pezull”

Belind Këlliçi ishte fituesi i Primareve demokrate për bashkinë e Tiranës, i cili do të ketë njëkohësisht detyrën më të vështirë për të mposhtur kryebashkiakun aktual të Tiranës prej vitit 2015, Erion Veliaj.

Në Fier fitoi kandidati Evdar Kodheli ndërsa në Dibër, Ismail Uka.

Emri i fituesit të parë të dalë nga primaret, ishte ai i Albert Malajt, për Bashkinë Memaliaj.

Malaj vjen nga radhët e Partisë së Lirisë dhe mori pjesë në primare, si pjesë e koalicionit të shpallur mes PD-së dhe PL-së.

Bardh Spahia, u konfirmua si kandidat për Bashkinë Shkodër.

Në Vaun e Dejës, deputeti Zef Hila, arriti të marrë numrin më të lartë të votave, duke bërë kështu që ai të lërë mandatin e deputetit dhe të hyjë në garë për zgjedhjet vendore.

Për bashkinë e Selenicës, fitues ishte Leonard Rakipaj, në Kukës fitoi, Admir Sinamati, në Bulqizë fitoi Dëfrim Fiku, në Berat fitoi Zija Ismaili, në Krujë fitoi Agron Loka, në Shijak, fitoi Rezart Tusha.

Gjirokastra do të shohë të garojë kandidatin Dorian Lani, Përmeti Edmond Kominon, Tepelena Baftjar Imerin, si edhe Këlcyra, Arjan Kasajn.

Kuçova do të shohë për kandidat një emër të njohur, si ai i Lefter Maliqit, nga radhët e Partisë së Lirisë.

PD-në në Elbasan, do ta përfaqësojë deputeti Luçiano Boçi, i cili do të lërë kështu mandatin për të garuar në zgjedhjet vendore 2023.

Qyteti jugor i Vlorës, në garë nga radhët e demokratëve më 14 maj, do të shohë Hysni Sharrën, i cili në përfundim të procesit, ka thënë se kërkon t’i rikthejë qytetarëve vlonjatë bashkinë e munguar prej vitesh.

Në Korçë, fituese është shpallur ish-deputetja Ledina Aliolli, e cila do të përfaqësojë tashmë PD-në në zgjedhjet vendore 2023 në bashkinë më të madhe juglindore të vendit.

Igli Cara nga ana tjetër, do të jetë garuesi zyrtar për Durrësin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore