Kosova

Tahiri, Kurtit: Ne njohje de facto kemi që nga viti 2008, na trego çka konkretisht përfitojmë nga marrëveshja


Abelard Tahiri

Sa për njohje de fakto nga Serbia nuk ia vlen të nënshkruhet marrëveshja e bazuar mbi propozimin franko-gjerman, sepse Serbia na njeh detyrimisht që nga viti 2008 kur kemi shpallur pavarësinë, ka thënë shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën parlamentare.

Pas shpalosjes së kryeministrit Albin Kurti për atë se çfarë përmban propozimi evropian dhe cili është qëndrimi i tij në raport me këtë plan, Tahiri tha se Kurti do të ishte mirë të tregonte se çka konkretisht është përfitimi i Kosovës.

“Ne kemi njohje de facto nga 2008-ta”, deklaroi Tahiri.

“Kemi shumë njohje, anëtarësi në organizata ndërkombëtare. Faktikisht për Serbinë jemi të pavarur. Ne s’kemi pasur asnjëherë asnjë lloj ndërhyrje në organizimin tonë shtetëror sepse s’kanë mundur, jo pse s’kanë dashur. Për botën demokratike ne jemi të pavarur”, pohoi Tahiri.

Ai deklaroi se “e rëndësishme është marrëveshja finale me Serbinë që kemi problem të hapur ende”.

Gjithashtu, për Kosovën Tahiri tha se rëndësi ka “anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

“Por, fatkeqësisht siç duket nga ajo që e dëgjuam diçka e tillë po spostohet, por është me rëndësi të na thotë kryeministri se kur ndodhë, cila është strategjia?”.

“Po e kërkoj nga kryeministri që të na thotë a ka pasur ndonjë çështje që është propozuar nga kryeministri dhe është përfshi në këtë plan? A është ky plan produkt i këtyre diskutimeve dy vjeçare? Çka do përfitojmë ne si shtet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje?”, ishin pyetjet e Abdixhikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore