Aplikacione

Autoritetet ruse padisin platformat e mediave sociale


Me pretendimin se kanë dështuar të fshijnë postimet që u kërkojnë fëmijëve të marrin pjesë në protesta të paligjshme, janë paditur pesë platforma të mediave sociale nga autoritetet ruse.

Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga agjensia e lajmeve, Interfax, e cila ka cituar një gjykatë të Moskës.

Agjensia e lajmeve, Reuters, zbulon se Twitter-i, Google-i dhe Facebook-u kanë secila nga tre çështje kundër tyre për shkelje, të cilat janë të dënueshme me gjobë deri në katër milionë rubla. Pjesë e tyre është edhe TikTok-u dhe Telegram-i.

Reuters shpjegon se çështjet janë hapur pas protestave, të cilat u përhapën në të gjithë vendin. Ato nisën për burgosjen e Alexei Navalny-t muajin e kaluar, i cili është një kritik i njohur i presidentit Vladimir Putin.

Sipas Navalny-t dhe mbështetësve të tij, dënimi 30 mujor për shkelje të pretenduara të lirimit me kusht lidhur me një rast përvetësimi, është një shpifje për arsye politike.

Nga ana tjetër, autoritetet e mohojnë të ketë ndodhur diçka e tillë.

Google-i nuk ka pranuar të komentonte lidhur me raportin e nxjerrë të Interfax-it. Ndërsa Facebook-u, Twitter-i, TikTok-u dhe Telegram-i, nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për koment.

Pritet që rastet e Google-it, Facebook-ut dhe Twitter-it, të shqyrtohen më datë 2 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore