Brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë është vrarë një grua 35 vjeçare.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.
Jo zyrtarisht, dyshohet se dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës.
Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.
Ndërsa ka shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.
“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.
Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, viktima ishte e shtrirë në gjinekologji, në pritje për të lindur.
Albanian Post fillimisht mori vesh nga burime brenda policisë që dorasi ishte arrestuar, por më pas u kuptua që policia akoma nuk ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për vrasjen.
Bëhet e ditur se dorasi është nga komuna e Shtimes, derisa viktima nga një fshat i Lipjanit.
QKUK konfirmon vrasjen
Vrasja është konfirmuar edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Gjithçka ndodhi rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së, thuhet në njoftim.
“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Brenda muajit nëntor kjo është gruaja e dytë që është vrarë në Kosovë.
Edhe më 25 nëntor, u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë, ngjarje e cila kishte ndodhur në Prishtinë.
Në po të njëjtën ditë në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Baza Gjinore” organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Me mbi 75% e votave të numëruara “Fronti Evropian” ka 20 mijë vota më shumë se “VLEN”
-
Rama ‘habitet’ me opozitën greke dhe kupton perspektivën e Mitsotakisit për vizitën e tij në Athinë
-
Ahmeti: Jemi fitues me mbi 30 mijë vota, qytetarët janë për anëtarësim në BE
-
Kasami: Nga nesër mund të shpallim koalicionin e ndryshimit me VMRO-DPMNE