Lajme

Pisonero: BE-ja e shqetësuar me miratimin e Ligjit për Presidentin nga Kuvendi i Malit të Zi


Ana Pisonero

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian është i shqetësuar me miratimin e Ligjit për Presidentin nga Kuvendi i Malit të Zi.

“Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese efikase, ku Kuvendi ka dështuar në mënyrë të përsëritur të emërojë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të siguruar funksionimin e duhur të saj”, theksoi ajo për mediumin malazez ‘Pobjeda’.

BE-ja iu ka bërë thirrje politikanëve të bien dakord për një zgjidhje të ngërçit aktual politik, në mënyrë që të realizohet ambicia e qytetarëve malazezë për anëtarësim në BE.

“Raporti vjetor i BE-së shpreh shqetësim lidhur me çështjen e sundimit të ligjit dhe mungesën e dialogut politik”, kujtoi Pisonero.

Gjithashtu, edhe ambasada e Çekisë, e cila kryeson me Presidencën e BE-së, është e shqetësuar për shkeljen e Kushtetutës me miratimin e Ligjit për Presidentin, i cili, sipas tyre, abuzon qartë me dispozitat kushtetuese.

Ndryshe, të martën e 2 nëntorit, me votat e shumicës së vjetër parlamentare, në Kuvendin malazez, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat parashikojnë një sërë dispozitash antikushtetuese.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez Milo Gjukanoviç të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Meqenëse ligji është miratuar me procedurë urgjente, Gjukanoviç është i detyruar ta nënshkruajë atë brenda tri ditëve ose ta kthejë në Kuvend për rishikim.

Nëse e kthen ligjin në Kuvend dhe deputetët e votojnë sërish, presidenti i shtetit, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë ligjin e rimiratuar.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanovic refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin për herë të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore