Kosova

Rohde paralajmëron konferencë më 3 nëntor për Procesin e Berlinit


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se më 3 nëntor do të mbahet një konferencë në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Rohde përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se kjo do të jetë mundësi për përparim të Kosovës.

“Konferenca e 3 nëntorit në Berlin si pjesë e Procesit të Berlinit do të jetë një mundësi për përparim që nuk duhet ta humbasim. Gjermania e dëshiron Kosovën e Ballkanin Perëndimor në BE dhe llogaritë në Kosovën dhe Serbinë që të kontribuojnë në proces në mënyrë konstruktive”, ka shkruar ai.

Më 5 korrik, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe se drejt arritjes së këtij qëllimi duhet Procesi i Berlinit.

Ai tha se ka shpresa të mëdha që Procesi i Berlinit të riniset nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe në modeluara sipas EFTA EEA, diçka të ngjashme sikurse Norvegjia, Litenshtajni, Zvicra dhe Islanda kanë me BE-në, komitete dhe këshilla të përbashkët, mekanizma të vëzhgimit, gjykatë të përbashkët me BE-në si vlerë dhe mekanizëm, jo jashtë BE-së”, tha Kurti.

Kurti këtë deklaratë e bëri gjatë pjesëmarrjes së tij me temën: “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”, që u mbajt në Greqi.

Në kuadër të Procesit të Berlinit janë paraparë të shënjestrohen katër fusha: zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe të brendshme; arritja e pajtimit në mes shoqërive në rajon; rritja e bashkëpunimit ekonomik rajonal; vendosja e bazave për rritje të qëndrueshme.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të Bashkimit Evropian janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore