Lajme

Kusari: VV-ja po tenton ta shkatërrojë bordin e RTK-së, procesi i intervistimit dhe i poentimit ishte joprofesional  


Flutura Kusari

Flutura Kusari, juristja e së drejtës së medias, pas monitorimit të intervistimit të kandidatëve për anëtar të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ka konstatuar se partia mazhoritare, Lëvizja Vetëvendosje, ka për qëllim shkatërrimin e këtij bordi.

E kjo për shkak se, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë procesit të intervistimit dhe sidomos procesit të poentimit të kanditatëve kanë qenë jashtëzakonisht joprofesional dhe jotransparent.

“Nivel i thellë i regresit në transprencë dhe organizim krahasuar me procesin e parë për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së në nëntor të vitit të kaluar, i cili ishte organizuar në mënyrë fantastike”, ka shkruar Kusari në rrjetin e saj social në Facebook.

Për Kusarin, Lëvizja Vetëvendosje ka aftësi ta shkatërrojë punën e saj të mirë që ka bërë me RTK-në deri më tani përmes këtij intervistimi, i cili sipas saj do të pasqyrohet në detaje edhe në të gjitha raportet ndërkombëtare.

“Është e papranueshme që në njërën anë të bëhet ftesë për aplikime në rekrutime publike duke premtuar meritokraci dhe duke ftuar profesionistë që të aplikojnë e në anën tjetër të montohen procese në të cilat kandidatët nuk vlerësohen në baza meritore”, ka vazhduar ajo.

Për këtë Kusari i bënë përgjegjës deputetët e mazhorancës, Fitim Hajrizin, Arbëreshë Kryeziun, Njazi Isakun, Ergjan Galushin dhe Besim Muzaqin.

Në anën tjetër, vendimin e deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, për të mos e nënshkruar procesverbalin e këtij intervistimi, Kusari e ka cilësuar si të drejtë.

“Procesi duhet të përsëritet nëse VV nuk dëshiron që ta shkatërrojë punën e mrekullueshme që ka bo deri më tani me RTK”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore