Lajme

Çfarë kërkesash shtroi Parlamenti Evropian për Serbinë?


Foto ilustruese

Rezoluta e miratuar në Parlamentin Evropian e votuar nga shumica dërmuese e eurodeputetëve, Serbisë i kërkoi një mori gjërash: prej dialogut me Kosovën, harmonizimit me politikën e jashtme evropiane, e deri te reformat e brendshme në Serbi.

Në rend të parë, dialogu që formulohej si “Dialogu Beograd-Prishtinë për normalizim të marrëdhënieve”, përmes rezolutës së re të miratuar formulohet si “Dialogu Beograd-Prishtinë për normalizim të marrëdhënieve i bazuar në njohje të ndërsjellë”.

Me këtë rezolutë, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i bëhet e vështirë të thotë se “askush në Evropë” nuk ia kërkon njohjen e Kosovës, dhe se “njohja” nuk është pjesë e dokumentacioneve ose pozicioneve zyrtare në BE sa i përket dialogut.

Kjo është hera parë që miratohet një raport që Serbisë i kërkon njohjen e Kosovës, megjithëse një rezolutë e tillë nuk ka efekt ligjërisht të detyrueshëm, dhe se bëhet pozicion zyrtar i Parlamentin Evropian, por jo edhe i Bashkimit Evropian si organizatë politike, ku pesë shtete në mesin e anëtarëve nuk e njohin Kosovën si shtet.

Autoriteteve të Beogradit u kujtohet se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim.

Përsëritet mbështetja për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rëndësia e angazhimit konstruktiv të autoriteteve serbe dhe të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila është thelbësore për të dy vendet për të avancuar në rrugët e tyre evropiane.

Gjithashtu bëhet thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Serbisë, mes tjerash, i kërkohet “të tregojë përkushtim të përnjëmendtë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe të harmonizojë vendimet dhe pozicionet me BE-në në politika të jashtme dhe ato të sigurisë, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë”.

“Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës ndryshon lojën dhe shpresoj se Serbia do të vendosë dhe do të zgjedhë të qëndrojë në anën e duhur të historisë kur bëhet fjalë për vendimin e saj të ardhshëm për ftesën evropiane”, tha përfaqësuesi evropian dhe raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Bilčik.

Ai tha se përparimi i Serbisë drejt BE-së varet nga tre shtylla kryesore: reformat e brendshme, të cilat sipas tij janë shumë të ngadalta; përkushtimin për dialog me Prishtinën, por edhe vendimin për masa kufizuese ndaj Rusisë.

Në këtë drejtim, ai shprehu pritjen që Serbia gradualisht dhe përfundimisht të përafrohet plotësisht me politikat e BE-së që kanë të bëjnë me Moskën zyrtare.

Parlamenti Evropian me rezolutë u bën thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe kërcënon stabilitetin dhe pajtimin rajonal.

Ai ankohet për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krime lufte dhe i bën thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si prioritet.

Në tekstin e draftit thuhet se përfaqësuesit evropianë janë “thellësisht të shqetësuar” për përhapjen e dezinformatave për agresionin rus kundër Ukrainës, prandaj autoritetet serbe dhe Komisioni Evropian janë të ftuar të mbështesin infrastrukturën për të luftuar dezinformimin dhe kërcënimet e tjera hibride.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore