Lajme

Tahiri krahason Kurtin me Zelenskyn: Njëri nga një politikan u shndërrua në komedian, tjetri nga humorist në politikan


Albin Kurti dhe Volodymyr Zelensky

Shefi i Grupit Parlamentarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka adresuar disa nga problemet të cilët sipas tij po shfaqen gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Tahiri, përveç se ka kritikuar punën e disa prej ministrave të Qeverisë Kurti 2, ka qenë i zëshëm edhe për punën dhe jo-seriozitetin e vetë të parit të ekzekutivit.

Tahiri, madje ka krahasuar kryeministrin e vendit me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pasi sipas tij Kurti me jo-seriozitetin e tij nga një politikan e aktivistë është shndërruar në një komedien, e ndërsa Zelensky nga një komedian është transformuar në një lider inspirues që po udhëheqë një luftë fisnike.

“Albin Kurti si kryeministrit i Kosovës ka arritur në këtë funksion duke qenë një aktivist i suksesshëm dhe një politikan që ka marrë mbi 50 për qind të votave, tash prej një politikani është kthyer në një komedian i cili na fletë me fjalime me rima, për bojlera e filtera dhe nuk merret me çështjet jetike të vendit”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i AAK-së ka qenë i zëshëm edhe për punën e ministrave duke i quajtur ata arrogantë dhe jo-serioz.

Sipas Tahirit, ministrja e Tregtisë flet për investime strategjike dhe mburret me sistemin fiskal dhe tatimor të Kosovës, për të cilin nuk ka bërë asgjë dhe në fakt mburret me një investim të një rrjeti të supermarketeve “LIDL”, duke mos e ditur se sa është numri i madh i supermarketeve në tërë Kosovën.

“Sot investitor strategjik në Kosovë është dikush që krijon vende të punës që investon në energji dhe prodhim, por jo në një rrjet të supermarketeve”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri

Tahiri, ka qenë kritik edhe me deklaratën e zëvendëskryeministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ditë më parë në një paraqitje televizive ka krahasuar shpejtësinë e punës së ministrisë në fjalë me shpejtësinë e shtrirjes së vajit në tepsi.

“Ai flet për shpejtësinë e punës në Qeveri, bile edhe për shpërndarjen e vajit në tepsi dhe arrijnë të ofendojë rënd deputetët e Kuvendit të Kosovës duke i quajtur pronarë të budallakis, dhe nuk kthehet prapa dhe të shikojë shpejtësinë e vendimeve të Qeverisë. Është hera e tretë që shtyhet Ligji i Pagave, asnjë ligj që ndikon në jetën e qytetarëve nuk është miratuar”, ka shtuar ai.

Ndërsa çështja e tretë të cilën e ka ngritur si shqetësim, Tahiri, në raport me punën e Qeverisë është, çështja e afera korruptive, në të cilat po dyshohet se janë përfshirë zyrtarë të ndryshëm të ministrive, por edhe vetë ministrat.

“Këtë javë janë denoncuar disa ministri, nuk ka asnjë shpjegim as një qartësim asnjë deklaratë sqaruese rreth këtyre aferave, ka neglizhim, arrogancë dhe trajtim tepër joserioz. Qeveria nëse nuk reagon së paku duhej të merrte një vendim për shkarkimin e zyrtarëve të përmendur nëpër afera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore