Lajme

Thaçi: “Deklarohem i pafajshëm, akuzat e reja nuk kuptohen, sepse janë shumë të redaktuara”


“I pa fajshëm”, është deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të gjitha akuzat që i ngarkohen duke përfshirë edhe ndryshimet e fundit, gjatë seancës së sotme në Dhomat e Specializuara në Gjykatën Speciale të Hagës.

Lidhur me akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht, në seancën e së martës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm. Ndërkaq, ka thënë se nuk i ka kuptuar të njëjtat pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexojë meqë janë shumë të redaktuara.

“Zotëri gjyqtar e theksova edhe një herë, amendamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kuptuar. Por, deklarohem i pafajshëm”.

Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se qëllimi i kësaj seance, është t’i lexohen të akuzuarit akuzat e paraqitura në gjuhën që flet, të konfirmojë se e kupton aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit të respektohen.

Tutje, gjykatësi tha se Thaçi do të informohet se brenda 30 ditësh mund të vetdeklarohet për fajësinë apo pafajësinë, por edhe se të njëjtin deklarim mund ta bëj edhe gjatë kësaj seance.

I pyetur nga gjykatësi Guillou se a ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të datës 29 prill 2022, e cila përmban ndryshimet, pra akuzat e reja, Thaçi e konfirmoi.

Më pas, i erdhi radha leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës, por me propozim të mbrojtjes dhe aprovim të Thaçit, ata kanë bërë të ditur se nuk kanë nevojë të lexohen akuzat e reja.

Ndërsa, Thaçi i pyetur se a i kupton akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar, i njëjti deklaroi se nuk i ka kuptuar pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexojë sepse janë shumë të redaktuara.

Edhe avokati Gregory Kehoe tha se akuzat janë shumë të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë se çfarë saktësisht po paraqet Prokurori i Specializuar.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë dhe ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

“Duke pas parasysh këto redaktime, presidentit Thaçi po paraqet një deklarim jo fajtor, i  pafajshëm” tha Kehoe.

Tutje, gjyqtari Guillou, i lexoi Thaçit të gjitha të drejtat e tij të garantuara me ligj, për të cilat ai tha se i ka kuptuar të njëjtat.

Më pas, gjykatësi kërkoi që Thaçi edhe një herë, zyrtarisht, të deklarohet për akuzat e reja.

“Do të kërkoj zyrtarisht të më thoni nëse deklaroheni fajtor apo jo fajtor lidhur me akuzat e reja që përmban aktakuza e ndryshuar”, tha Guillou.

“Zoti gjyqtar theksova edhe njëherë amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’í kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi.

Në fund, avokati Kehoe, deklaroi se ende apeli që kanë bërë për mangësitë në formën e aktakuzës është në Dhomën e Gjykatës së Apelit dhe nuk kanë marrë përgjigje.

“Po kështu është edhe çështja tjetër është për afatin e mocioneve sipas rregullës 94”, tha Kehoe.

Gjykatësi bëri të ditur se afatet do të fillojnë nga dita e sotme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore