Lajme

Bashkimi i Finlandës dhe Suedisë me NATO-n do të jetë i shpejtë, thotë Stoltenberg


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca ushtarake e Atlantikut të Veriut është e gatshme të mirëpresë me procedurë të shpejtuar Finlandën dhe Suedinë në organizatë.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, shefi i NATO-s tha se është në cilësinë e çdo vendi të vendosë nëse dëshiron të bashkohet apo jo.

Ndaj, përtej faktit të aplikimit prej dy shteteve nordike, “NATO i pret ato krahëhapur”.

Nuk kuptohet mirë ndërkaq se si kjo procedurë e shkurtuar funksionon dhe sa zgjat në tërësi deri në integrimin e plotë.

Një mbështetje, megjithatë, do t’u jepet të dy vendeve deri në kohën e ratifikimit të plotë të aplikimeve.

Rusia, nga ana tjetër, e ka bërë të qartë me kohë se nuk e pëlqen anëtarësimin e Finlandës në aleancë.

Madje, Moska ka pretenduar se “do të marrë masa të sajat, për të balancuar këtë gjë”.

Ashtu siç është e ditur gjithsesi, nëse një vend i NATO-s sulmohet, e gjithë organizata është në gatishmëri për të mbrojtur atë vend.

Por, nuk dihet nëse një gjë e tillë do të vlejë, për sa kohë Finlanda dhe Suedia do të jenë në procesin e aplikimit dhe në pritje të ratifikimit.

Aq më pak, nuk dihet nëse mbështetja gjatë periudhës së ratifikimit, e përfshin edhe mbrojtjen e dy vendeve nga aleanca e NATO-s, në rast të një sulmi rus.

Përgatitje nga ana e Helsinkit ka pasur edhe nëpërmjet stërvitjeve të civilëve, ku pjesë janë bërë po ashtu shumë gra, të cilat duan të mbrojnë atdheun.

Një çështje tjetër interesante për t’u parë, është edhe qasja e Kroacisë, pasi presidenti i vendit, Zoran Milanoviç, ka deklaruar se vendi i tij duhet të vendosë veto bllokuese për Suedinë dhe Finlandën, nëse legjislacioni zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk zgjidhet fillimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore