Lajme

Oda e Mjekëve – Bislimit: Krahasimi i ikjes së mjekëve kosovarë me mjekët gjermanë, mohim i gjendjes faktike


Besnik Bislimi gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane

Oda e Mjekëve të Kosovës, deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi se “mjekët kosovarë shkojnë për të punuar në Gjermani, pasi mjekët gjermanë ikin nga aty”, e ka cilësuar si mohim të gjendjes faktike të socio-ekonomisë në Kosovë.

Neglizhenca dhe nënvlerësimi i vazhdueshëm institucional që është bërë komuniteti mjekësor sipas Odës së Mjekëve të Kosovës është shkaktari që sot vije deri te injorimi i fakteve të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.

“Lëshimi i vendit nga mjekët kosovarë ka disa arsye themelore, e ndër to si më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe ato socio-ekonomike që kanë të bëjnë me lartësinë e kompensimit të pagës. Shprehim zhgënjimin ndaj deklaratave të Bislimit, i cili në një komision parlamentar ka bërë krahasimin e ikjes së mjekëve kosovarë me mjekët gjerman”, shkruhet në deklaratë.

Oda e Mjekëve, duke mos u pajtuar me deklaratën e Bislimit, ka njoftuar se në Kosovë është duke ndodhur një eksod i mjekëve.

“Kjo rrethanë e cila është eminente këto vitet e fundit, do e sjellë Kosovën në situatë të tillë ku as përqindja minimale e mjekëve për kokë të banorit nuk do të mund të jetë plotësuar. E kjo paraqitet anakronike me situatën në të cilën gjendemi e ku aktualisht janë mbi 500 mjek të papunësuar. Numri i mjekëve në Kosovë nuk përmbush standartet minimale të BE-së për përllogaritjen e numrit të mjekëve për kokë banori” vazhdon tutje deklarata.

“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo, pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ishte arsyetimi i Bislimit kur u përmend largimi i mantelbardhëve kosovarë nga vendi, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

Lidhje me këtë, një ditë më parë kishte reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media kishte njoftuar se nga Kosova vetëm gjatë muajit shkurt ishin larguar 45 mjekë.

LDK në komunikatë gjithashtu kishte potencuar se Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet për trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së mjekëve.

“LDK i sheh me shqetësim të madh deklaratat e Bislimit rreth ikjes së mjekëve nga Kosova. Duke e krahasuar vendin tonë me vendet e zhvilluara evropiane. Për dallim nga vendet që i ka përmendur Bislimi, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjarë, për gjithë territorin e tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore