Lajme

Ngriti çmimin e vajit, gjobitet një market në Skenderaj


Ilustrim

1000 mijë euro është gjobitur një market në Skenderaj nga Drejtoria e Inspektosionit pasi sipas kryetarit të kësaj komune Fadil Nurës, do të ketë “gjobë për secilin që provon të përfitojë në mënyrë të pandershme”.

“Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve”, ka shkruar Nura në Facebook.

Ai ka thënë se nuk do të lejojnë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm, “siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit”.

Për t’i zbuluar abuzuesit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të hetojë ngritjen e çmimeve në Kosovë, pasi sipas saj, “ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare”.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tone”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo konsideron që kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore