Lajme

IKSHPK: Vaksinohuni dhe respektoni rregullat kundër Coronavirusit, Omicron po rrit intensitetin


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) u ka bërë thirrje përsëri qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të vaksinohen kundër COVID-19 dhe të respektojnë masat anti COVID-19.

Përmes një njoftimi në Facebook, IKSHPK, ka thënë se testimi dhe gjurmimi i rasteve të reja është duke vazhduar, ndërsa ka shtuar se intensiteti i variantit Omicron është në rritje e sipër dhe situata epidemiologjike mund të pësojë përkeqësim në ditët në vijim.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik”.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan IKSHPK.

Ky institucion rekomandon mosgrumbullim, ndërsa i bën ftesë organeve kompetente ta monitorojnë gjendjen me pandemi si dhe respektimin e rregullave anti COVID-19.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet tutje në statusin e publikuar.

Sipas IKSHPK-së varianti – “Omicron është tejet ngjitës”, prandaj rekomandohet bartja e maskave në çdo vend si dhe mbajtja e distancës prej dy metrash.

Mes tjerash, IKSHPK, thërret qytetarët mbi moshën 18-vjeçe që të vaksinohen edhe me dozën e tretë të vaksinës kundër Coronavirusit.

“Apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare”, shkruan IKSHPK.

Vetëm të dielën e 16 janarit në Kosovë kanë rezultuar të infektuar me COVID-19, 771 persona. 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore