Shqipëria

“Sheshi Erdogan” në zemër të rindërtimit laçian


Pas një ceremonie të gjatë të dhënies së banesave të rindërtimit në zonën e Laçit – një investim i shtetit turk – ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, një shesh simbolik pikërisht me emrin e këtij të fundit u shpalos për gjithë publikun.

Duke hequr pëlhurën e kuqe, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla, Erdogan zbuloi për herë të parë edhe tre pllakada të mermerta, të cilat karakterizojnë tashmë edhe një thellim të miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Në to, shkruhet pikërisht për ndihmën që Turqia i dha Shqipërisë e veçanërisht Kurbinit, në kohën pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.

Tashmë, vetëm dy vjet e pak muaj më pas, mbi 500 familje do të kenë mundësi të futen në hyrjet e tyre të reja.

Një tjetër gjest simbolik, ishte ai i dhënies së titullit “Qytetar nderi” i Kurbinit për presidentin Erdogan, si shenjë falënderimi për përkushtimin e tij ndaj kauzës që preku shqiptarët dhe mbajtjen e fjalës mbi ndërtimin e zonës rezidenciale të premtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore